Ahmeti diskutoi me ambasadorin Kosnett për situatën politike në vend

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, gjatë ditës së sotme ka pritur në takim ambasadorin e Amerikës, Philip Kosnett.

Lajme

13/12/2018 18:28

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti,  ka pritur sot në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, shkruan lajmi.net.

Përmes një njoftim në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Ahmeti ka bërë të ditur se me ambasadorin Kosnett kanë biseduar edhe për situatën aktuale politike në vend.

Po ashtu në këtë takim Ahmeti dhe Kosnett kanë diskutuar edhe për mundësistë e bashkëpunimit për Komunën e Prishtinës, përcjell lajmi.net.

Postimi i plotë i Ahmetit pa ndërhyrje:

Sot, prita në takim Ambasadorin e sapoemëruar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip S Kosnett.

Në emër të Komunës së Prishtinës, e falënderova ambasadorin për ndihmën e SHBA-ve për komunën tonë përmes projekteve të USAID dhe MCC dhe në përgjithësi për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj.

Ambasadori u njoftua edhe me prioritetet e Komunës së Prishtinës në tre vitet e ardhshme ku edhe u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit edhe në fusha tjera.

Bashkë me ambasadorin diskutuam edhe për situatën politike në vend. /Lajmi.net/