Ahmet Isufi thotë se duhet të shtohen masat ndaj Serbisë

Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ahmet Isufi, kategorikisht është shprehur kundër heqjes së taksës prej 100 përqindësh për mallrat serbe.

Lajme

18/01/2019 09:30

Pavarësisht prej presionit amerikan, ai ka thënë se taksa nuk duhet të hiqet. 

Në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, Isufi ka thënë se duhet të shtohen sanksionet ndaj Serbisë. 

“Taksa i është vendosur Serbisë si kundërvënie të politikës së saj destruktive ndaj Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Pra, kjo taksë nuk ka të bëjë me të tjerët përveç me Serbinë e cila nuk po e ndryshon politikën karshi Kosovës. Prandaj, taksa mbetet në fuqi, madje duhet të shtohen edhe sanksionet e tjera ndaj Serbisë”, ka thënë Isufi. 

Ai ka vlerësuar se kjo taksë nuk mund t’i rrezikojë raportet SHBA – Kosovë. 

“Raportet e Kosovës me ShBA-në janë historike dhe tradicionale. Këto raporte nuk rrezikohen sepse ne gjithmonë kemi treguar gatishmërinë që me ShBA-në të kemi bashkëpunim të jashtëzakonshëm. Shqiptarët dhe Kosova me të drejtë konsiderohen miqtë më të mëdhenj të amerikanëve”, është shprehur ai.

Shefi i grupit parlamentar i AAK-së është shprehur i bindur se për shkak të kësaj takse nuk bie Qeveria. 

Sipas Isufit, Qeverinë aktuale vetëm e forcojnë veprimet që e fuqizojnë subjektivitetin e Republikës së Kosovës. 

“Nuk bie Qeveria për shkak të taksës, përkundrazi Qeveria forcohet duke e forcuar subjektivitetin e Kosovës. Normalisht se një Qeveri çfarë është kjo tani e cila po merr vendime të mëdha për vendin, meriton ta kryejë mandatin, madje ta garantojë edhe mandatin e ardhshëm qeverisës”, ka thënë ai, duke shtuar se kjo Qeveri do ta çojë mandatin deri në fund.

Isufi ka folur edhe për pretendimet e LDK-së se ka pasur një ofertë nga PDK-ja për ta rrëzuar Qeverinë. 

Sipas tij, qëndrimet e LDK-së janë konfuze dhe nuk u beson askush.

“Zyrtarët e LDK-së çdo ditë po i ndërrojnë deklaratat dhe nuk po mund t’u biem në fije se cila është e vërteta që thonë. Ata kanë deklarata shumë konfuze. E kanë bërë konfuz edhe opinionin”, ka thënë Isufi.