Haradinaj beson se para Vitit të Ri do të hiqen vizat

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur optimist për liberalizimin e vizave.

Lajme

18/12/2018 13:48

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, përsëri është shprehur optimist se qytetarët e Kosovës deri në fund të vitit do të udhëtojnë pa viza drejt vendeve të Evropës, raporton lajmi.net.

Pavarësisht se komisioneri Johannes Hahn, deklaroi se liberalizimi i vizave për Kosovën do të ndodh në vitin 2020, kreu i ekzekutivit thotë se kjo do të ndodhë më shpejt.

“Besoj që shumë shpejt do ta kemi liberalizmin e vizave, në një të ardhme të afërt, jo aq larg sa ka thënë Hahn, po besojmë tash para viti të ri”, deklaroi Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë.

Sipas tij, Kosova i ka përmbushur të gjitha kërkesat për këtë proces dhe se taksa e vendosur nga ana e Qeverisë për mallrat serbe dhe boshnjake nuk ndërlidhet me procesin e liberalizimit të vizave dhe se qytetarët e Kosovës nuk meritojnë të mbesin të izoluar.

Për më shumë, ndiqeni në videon e mëposhtme deklaratën e plotë të kryeministrit Haradinaj. /Lajmi.net/