Aguero kërcënon Barcelonën

Sulmuesi i Manchester Cityt, Sergio Aguero nuk dorëzohet dhe thotë se skuadra do të luftojë deri në fund në ndeshjen e kthimit kundër Barcelonës në Camp Nou.

Sport

25/02/2015 10:27

Sergio Aguero është zotuar se Manchester City do të luftojë deri në fund kundër Barcelonës, pas humbjes në ballafaqimin e parë të fazës eliminatore të Ligës së Kampionëve me rezultat 2:1, të martën.

Humbja ka mundur të jetë edhe më e thellë për Citizens, por Joe Hart ndali penalltinë e Lionel Messit në çastet e fundit të takimit.

Dhe, Aguero insiston se çështja e fituesit ende nuk është përfunduar.

“Nuk është rezultati që kemi dëshiruar, por ballafaqimi ende nuk ka përfunduar. Do të luftojmë si zakonisht deri në fund”, shkroi Aguero në profilin e  tij zyrtar në rrjetin social Twitter. Ndeshja e kthimit në Camp Nou zhvillohet më 18 mars.