Agrobizneset vendore po fuqizohen me mbështetjen e MBPZHR-së

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi priti sot në një takim përfaqësuesit e Odës Afariste të Kosovës, të cilët i ka njoftuar me zhvillimet e përgjithshme në sektorin e bujqësisë, veçanërisht në sektorin e prodhimit dhe përpunimit, si dhe me programet mbështetëse të ministrisë për agrobiznese për vitin 2017.

Lajme

13/04/2017 14:49

Gjatë takimit, ministri Krasniqi theksoi se prodhimtaria bujqësore është njëra prej aktiviteteve më strategjike për nga rëndësia ekonomike dhe agrobizneset janë një prej veprimtarive me zhvillimin më të hovshëm, e të cilat ai tha se do të gjejnë mbështetje të madhe edhe gjatë këtij viti përmes granteve investive të ministrisë.  Ai i njoftoi ata se me investimet e ministrisë për agrobizneset vendore, kanë ndikuar në rritjen e prodhimtarisë bujqësore, zëvendësimin e importit dhe rritjen e eksportit të këtyre produkteve, si dhe përmirësimin e aftësive konkurrueseve të agrobizneseve.

Ai i falënderoi drejtuesit e kësaj ode për mbështetjen që kanë dhënë për bizneset në Kosovë, dhe shprehi gatishmërinë për bashkëpunim të mëtutjeshëm me qëllim të zhvillimit të mëtejmë të agrobizneseve.

Nga ana tjetër, kryetari i bordit të Odës së Afaristëve të Kosovës, Skënder Krasniqi, falënderoi ministrin për gatishmërinë e tij për bashkëpunim dhe shprehën përkushtimin e tyre për mbështetjen e prodhuesve vendorë, me qëllim të fuqizimit të mëtejmë të tyre./Lajmi.net/