Agresioni serb në Kosovë përmes trenit rus

Është momenti i fundit që politikanët shqiptarë t’i përgjigjen me një zë të përbashkët Serbisë, në të kundërtën pjesë e bisedimeve së shpejti do të jetë ndarja e Kosovës.

Lajme

13/01/2017 21:44

Shkruan: Besnik Batusha

Serbia nesër në 8 e 30 të mëngjesit e nis trenin rus në drejtim të Mitrovicës, për herë të parë pas 18 vjetësh.

Treni i dizajnuar brenda me ikonografi ortodokse serbe dhe jashtë më mbishkrime provokuese, pritet të arrijë pasdite në Stacionin e Trenave në Mitrovicë.

Treni, sipas të ashtuquajturës Zyre për Kosovën, do të bëjë nesër xhiron e parë promovuese ku do të bartën zyrtarë të shtetit serb, gazetarë, etj.

Këtë ngjarje Serbia po e quan historike pasi që “po rikthehet në Kosovë” që nga shpartallimi në vitin 1999.

Treni që është dhuratë nga Rusia ka mbishkrime në shumë gjuhë botërore “Kosova është Serbi”. Këtu përfshihet edhe gjuha shqipe!

Autoritetet kosovare janë treguar të pafuqishme ndaj këtij agresion të hapur të Serbisë, duke kërkuar ndihmë nga Bashkimi Evropian.

Përveç që është quajtur ilegal, institucionet kosovare duket se nuk do të mund ta ndalojnë hyrjen e trenit “kishtar” në Republikën tonë.

Në anën tjetër Policia e Kosovës ka hezituar të përgjigjet në pyetjen se si do të veprojë nesër nëse merr urdhër që treni mos të lejohet të hyjë në Kosovë.

Hyrja e këtij treni në territorin tonë bartë në vete edhe rreziqe tjera të sigurisë. Ekziston frika e rritjes së ndikimit rus në veri, duke marrë parasysh edhe hapjen e para do kohesh të pompave të derivateve nga Rusia.

Pastaj, një rrezik tjetër që është reale ka të bëjë me futjen e armëve nga Serbia dhe mundësia e një ballafaqimi të armatosur në atë pjesë.

Pra me një fjalë, treni do të jetë simbol i rikthimit të Beogradit zyrtar në Kosovë dhe tendencës për të treguar pafuqinë e institucioneve të Kosovës përballë këtij agresioni.

Pafuqia institucionale e Kosovës për ta shtrirë sovranitetin në pjesën veriore, krimi dhe korrupsioni, imponimi i bisedimeve me Serbinë në Bruksel, nënshtrimi ndaj kërkesave të Listës Serbe sa i përket formimit të Forcave të Armatosura, janë vetëm disa nga faktorët që i kanë dhënë zemër Serbisë që lehtësisht ta mendoj kthimin këtu.

Klasa politike kosovare vazhdon të jenë në nivelin e detyrës as 18 vjet pas luftës. Polarizimi i skenës politike dhe përçarja për tema kryesisht dytësore, tregon se vendi gjenden pa Zot shtëpie në momentet kritike.

Është momenti i fundit që politikanët shqiptarë t’i përgjigjen me një zë të përbashkët Serbisë, në të kundërtën pjesë e bisedimeve së shpejti do të jetë ndarja e Kosovës.