AGK takon koordinatorin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për rastet e gazetarëve

Përfaqësuesit e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës kanë takuar koordinatorin e sapo emëruar për rastet e gazetarëve në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Arben Hoti, të cilit i kanë dorëzuar një listë me lëndët e kontestit penal dhe civil ku janë të përfshirë gazetarët.

Lajme

27/06/2018 17:08

Gjatë takimit me koordinatorin Hoti, përveç që u diskutua për zhvillimin e takimeve të rregullta mujore ndërmjet përfaqësuesve të AGK-së dhe koordinatorit për rastet e gazetarëve, u darkordua që të krijohet edhe një databazë nga Gjykata Themelore e Prishtinës, në të cilën do të shënohen të gjitha lëndët e pranuar, ato që janë në punë dhe ato që presin të zgjidhën, lëndë këto që kanë të bëjnë me mediet dhe gazetarët.

Përfaqësuesit e AGK-së, kanë kërkuar nga koordinatori Arben Hoti, që këto lëndë të trajtohen me prioritet dhe seriozitet nga ana e Gjykatës Themelore të Prishtinës. Ndërkaq, koordinatori Hoti ka shprehur gatishmërinë dhe angazhimin e tij që të gjitha lëndët e medieve dhe gazetarëve ta marrin një epilog sa më të shpejtë gjyqësorë.

Lista me lëndët e kontestit penal e cila iu dorëzuar të koordinatorit Arben Hoti është listë e marrë nga Prokuroria e Shtetit e që ka të bëjë me sulme fizike dhe kërcënime verbale të ndodhura përgjatë viteve ndaj gazetarëve në Kosovë. Ndërkaq, rastet e kontestit civil janë raste të cilat, vetë gazetarët e kanë njoftuar Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, që gjinden në konteste civile gjyqësore dhe si të tilla janë regjistruar në këtë listë. Lista me rastet e gazetarëve qoftë nga lëmi penal apo civil do të përditësohen sa herë që paraqitën raste të reja, të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë do t’i dorëzohen koordinatorit Arben Hoti.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës inkurajon të gjitha mediet dhe gazetarët të cilët gjenden në çfarëdo kontesti gjyqësor, qoftë civil apo penal, e që janë në pritje të procedimit të rasteve, të na njoftojnë duke na e dërguar numrin e lëndës, sepse shqyrtimi i këtyre lëndëve brenda afateve të parapara ligjore do të ndikonte në krijimin e një ambienti më të sigurt për punën e gazetarëve si dhe rritjen e profesionalizmit të mediet.

Kujtojmë se Kryetarja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Afërdita Bytyçi, ditë më parë ka emëruar gjyqtarin, Arben Hoti si koordinator për rastet e gazetarëve i cili është edhe nënkryetar i kësaj gjykate.

AGK vlerëson përkushtimin e institucioneve të drejtësisë që më në fund rastet e gazetarëve të trajtohen me prioritetin dhe seriozitetin maksimal, duke ndikuar kështu që të krijohet një ambienti i përshtatshëm dhe i sigurt në të bërit gazetari në vend./Lajmi.net/