AGK-ja reagon për kërcënimin ndaj gazetarit Mentor Gjergjaj

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është njoftuar nga gazetari i Gazetës Express, Mentor Gjergjaj, se gjatë ditës së sotme, ai së bashku me ekipin e kësaj gazete kanë pasur një kërcënim verbal nga një person në Gjakovë. Gazetari Gjergjaj ka bërë të ditur se ka shkuar në Gjakovë për të raportuar për një rast vdekjeje të ndodhur në familjen Rizvanolli, me ç’rast ai ka marrë kërcënime nga person i cili ka drejtuar fjalë fyese dhe kërcënuese në drejtim të tij dhe ekipit të gazetës.

Lajme

03/05/2018 16:28

Gjergjaj ka thënë se personi i cili u prezantua si dhëndër i familjes së të ndjerit Ilir Rizvanolli, e ka kërcënuar dhe është vërsulur në drejtim të tij.

“Me ka fy, me është vërsulë, me ka thënë spiun dhe me ka thënë se do të kesh përgjegjësi”, ka deklaruar gazetari Gjergjaj.

AGK-ja i bën thirrje Policisë dhe Prokurorisë në Gjakovë që ta hetojnë këtë rast dhe kërcënuesi të sillet para drejtësisë.

Ky kërcënim është rasti i nëntë (9) me radhë gjatë këtij viti dhe vjen pikërisht sot ku po shënohet Dita Botërore e Lirisë së Shtypit./Lajmi.net/