AGK dënon gjuhën e deputetes Haxhiu të përdorur ndaj gazetarit Adriatik Kelmendi

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar ndaj gjuhës së përdorur nga deputetja Albulena Haxhiu ndaj gazetarit Adriatik Kelmendi.

Lajme

23/02/2018 17:32

Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, deputetja e Vetëvendosjes! Albulena Haxhiu, ka akuzuar gazetarin Adriatik Kelmendi për kinse organizim të protestave qytetare të cilat bënin thirrje në drejtim të deputetëve për ta ratifikuar demarkacionin me Malin e Zi.

Po ashtu, deputetja Haxhiu pak minuta më vonë, me anë të një statusi tjetër në Facebook, ka thënë se gazetari Kelmendi që disa ditë ka filluar një fushatë dhe presion mbi deputet që të votojnë marrëveshjen e demarkacionit.

Ndërkaq, gazetari Adriatik Kelmendi, ka reaguar në lidhje me postimet e deputetes Haxhiu, duke thënë se gjuha e saj përbënë shpifje dhe kërcënim publik për të.

“Ky është kërcënim publik për mua dhe të gjithë atyre që guxojnë ta thonë mendimin e tyre hapur, siç garantohet edhe me Kushtetutën e Republikës. Më mirë heshtni se shpifim për ju dhe pastaj ju linçojmë. Jo, nuk kam asfarë lidhje me asnjë protestë. Nëse do të kisha – do ta bëja të ditur. Pra, deputetja po shpif!”, thuhet në reagimin e gazetarit Kelmendi.

AGK konsideron se kjo gjuhë dhe qasje e deputetes Albulena Haxhiu kundrejtë gazetarit Adriatik Kelmendi është e papranueshme dhe përbënë cenim të mendimit dhe fjalës së lirë”, thuhet në reagimin e AGK-së.

AGK i bënë thirrje deputetes Haxhiu që të distancohet nga përdorimi i çfarëdo gjuhe e cila e cenon integritetin profesional të gazetarit Adriatik Kelmendi.