Agjenda e Pavarësisë

Festimet do të fillojnë që nesër, me orën e parë të mësimit në të gjitha shkollat e Kosovës e cila do t’i kushtohet përpjekjeve të popullit të Kosovës për ta bërë shtetin. Edhe Ambasadat e Kosovës nëpër botë kanë paraparë aktivitete për nder të kësaj dite.

Lajme

13/02/2014 10:27

Qeveria e Kosovës ka publikuar agjendën e festimeve të gjashtëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Festimet do të fillojnë që nesër, me orën e parë të mësimit në të gjitha shkollat e Kosovës e cila do t’i kushtohet përpjekjeve të popullit të Kosovës për ta bërë shtetin.

Në mbrëmje do të hapet një ekspozitë në Galerinë Kombëtare të Kosovës me fotografitë e Koleksionit të “Marubit”.

Por festimet do të kulmojnë më 17 shkurt me aktivitete në Prishtinë dhe në të gjitha qytetet tjera të Kosovës.

Festimet nuk do të bëhen vetëm brenda Kosovës. Edhe Ambasadat e Kosovës nëpër botë kanë paraparë aktivitete për nder të kësaj dite.

Ja Agjenda e Pavarësisë:

 

Më 14 Shkurt

Ora e parë e mësimit në të gjitha shkollat do t’i kushtohet Pavarësisë së Republikës së Kosovës

– Në orën 19:00, në Galerinë Kombëtare të Kosovës hapet ekspozitë e Koleksionit të “Marubit”

 

Më 15 shkurt

– Në orën 17:00, në Muzeun e Kosovës bëhet hapja e ekspozitës “Shkatërrimi i Trashëgimisë Kulturore në Kosovë 1998-1999”

Në të gjitha ambasadat e Republikës së Kosovës në botë, organizohen pritje për korin diplomatik, zyrtarë shtetesh, si dhe personalitete të rëndësishme të shteteve përkatëse

– Në ora 18:00, në Hotelin Swiss Diamond, mbahet koncert i tenorit Agim Hushi

 

Më 16 shkurt

– Në orën 18:00, në Teatrin Kombëtar, mbahet Koncerti Festiv i Ansamblit Kombëtar SHOTA,

– Në orën 19:30, në Hotelin Emerald, nga Presidentja e Republikës së Kosovës, organizohet pritje solemne për mysafirë të ftuar

 

Më 17 shkurt

– Në orën 9:00, bëhen homazhe para varrit të presidentit Rugova

 

– Në orën 10:00, bëhen homazhe para varrezave të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari në Prekaz

– Në orën 11:00, mbahet mbledhja solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës

– Në orën 12:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë  organizohet Manifestim Qendror, me pjesëmarrje të njësiteve të FSK-së, Policisë së Kosovës, Shërbimit Korrektues dhe bëhet parakalimi i efektivave të tyre

– Në orën 12:45, në organizim të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi organizohet pritje solemne në Hotelin Grand

– Në orën 14:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë organizohet koncert për fëmijë

– Në orën 20:00, Në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë organizohet koncert me këngëtarët më eminentë të vendit

– Në orën 22:30, pas përfundimit të koncertit bëhet ndezja e fishekzjarrëve

 

17 Shkurt

në Komunat e Republikës së Kosovës

 

– Në orën 9 bëhen homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe tek shtatoret e heronjve të Kosovës

– Organizohen seanca solemne në Kuvendet e Komunave

– Në mbrëmje organizohen koncerte në sheshet e qyteteve, dhe në përfundim bëhet ndezja e fishekzjarrëve.