Agjencia e Pronave kërkon ligj të ri për përcaktim të mandatit

Agjencia Kosovare e Pronës, nga 42 mijë e 715 kërkesa që kanë të bëjnë me pronën e paluajtshme private, të cilat i ka pranuar nga paslufta e deri në dhjetor të 2007, pjesën më të madhe të tyre e ka zgjidhur, ndërsa kanë mbetur të pazgjidhura edhe 9,049 kërkesa. Kërkesat e bëra pas vitit 2007 nuk procedohen, sepse ka kaluar madati i kësaj agjencie.

Lajme

22/06/2014 12:52

Agjencia e Pronave e Kosovës do të vendosë këtë javë edhe për 329 kërkesa për zgjidhje të çështjeve të pronës, ndërsa edhe 621 të tjera do të përfundojnë deri në fund të këtij viti.  

Megjithëkëtë, mandati i kësaj agjencie nuk është i përcaktuar sipas ligjit aktual, ka thënë Xhevat Azemi, zëvendësdrejtor i APK-së, për KosovaPress.

“Agjencia ka pranuar 42 mijë e 715 kërkesa, pjesa më e madhe e të cilave deri tani janë vendosur, kanë mbetur të pa vendosura edhe 9,049 kërkesa, pa e përfshirë sesionin e komisionit, i cili ka filluar sot dhe ku do të vendosen 329 kërkesa, që do të thotë se pas kësaj jave do të mbesin të pa vendosura edhe 621 kërkesa. Planifikojmë që për dy sesionet e ardhshme, diku deri në tetor, të vendosen të gjitha kërkesat. Mirëpo, vendosja e kërkesave është vetëm një pjesë e mandatit”, ka treguar Azemi.

Ai ka shtuar se Agjencia Kosovare e Pronës nuk e ka mandatin e kufizuar. Sipas tij, kufizimi i kohës bëhet vetëm me ligj, i cili edhe është propozuar në komision që të caktohet një datë apo një kohë kur përfundon procesi i administrimit të pronave dhe skemës së qerasë.

“Nuk ka afat të kufizimit për zbatim të vendimeve, nuk ka afat të kufizimit për administrim të pronave. Momentalisht, Agjencia i ka nën administrim 12 mijë e 600 prona, me kërkesë të pronarëve, prej tyre 1,147 janë dhënë me qira, janë mbledhur rreth 4 milionë e gjysmë euro nga qiradhënia e këtyre pronave. Është ideja që të kufizohet edhe administrimi i pronave edhe kufizimi i skemës së qirasë, por që të bëhet kjo duhet të amendamentohet Ligji për Agjencinë”, ka thënë Azemi.

Azemi ka shtuar se janë duke pritur që të aprovohet ligji i ri, i cili parasheh përfundimin e procesit të administrimit të pronave dhe skema e qirasë. Sipas Azemit, gjithashtu është propozuar që nga dita e hyrjes në fuqi të projektligjit, administrimi i pronave të vazhdojë edhe 18 muajt e ardhshëm.

“Jemi në pritje të aprovimit të një ligji të ri lidhur me zbatimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, për dokumentet kadastrale sipas së cilës parashihet që ato dokumente t’i merr kjo agjenci, t’i krahasojë dhe dallimet t’i gjykojë një komision i kësaj agjencie, që do të thotë me atë projektligj parashihet që agjencia të vazhdojë me mandatin aktual deri në përfundim dhe të fillojë me mandatin e ri. Në atë projektligj është paraparë edhe përfundimi i procesit të administrimit të pronave dhe skema e qirasë”, ka theksuar Azemi.

Azemi ka theksuar se që nga 3 dhjetori i vitit 2007 Agjencia nuk pranon kërkesa të reja, sepse në ligj afati i fundit për të pranuar kërkesa ka qenë 3 dhjetori 2007. Ai ka treguar se Agjencia është institucion i përkohshëm dhe pret që mandati i ri të caktohet konform marrëveshjes Kosovë – Serbi.

Ai ka shtuar se në mandatin aktual kostoja vjetore e Agjencisë së Pronave (me 250 të punësuar) ka qenë diku rreth 3.5 milionë euro dhe është financuar rreth 50 për qind nga buxheti i Kosovës dhe 50 për qind nga donacionet.

(KosovaPress)