Agimi me shokë shumë

Kandidati i AKR’së për Kryetar të Mitrovicës, Agim Bahtiri, pas LDK’së ka marrë mbështetjen edhe të Iniciativës Qytetare dhe partisë boshnjake, Nova Demokratska Stranka.

Lajme

24/11/2013 14:50

Aleanca Kosova e Re në Mitrovicë, një ditë para fillimit të fushatës zgjedhore për raundin e balotazhit, ka arritur dy marrëveshje të reja koaliconi.

Pas LDK’së, mbështetje për kandidatin e AKR’së për Kryetar të Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka ofruar edhe Iniciativs Qytetare dhe partisë boshnjake, Nova Demokratska Stranka.

Bahtiri tha në një konferencë shtypi pas zyrtarizimit të marrëveshjes me këto forca politike se ky është koalicioni më i madh që ka pasur ndonjëherë qyteti i Mitrovicës.

Ai u shpreh i bindur se kjo marrëveshje e koalicionit  do t’i kontribuojë fitores së tij.

“Po shihet se të gjithë qytetarët e Mitrovicës po na bashkëngjiten”.

“Unë e kam popullin dhe ky popull është pas meje”.

Analisti Nexhmedin Spahiu, si përfaqësues i Iniciativës Qytetare, tha se ka qenë marrëveshje paraprake që t’i ndihmojnë njëri tjetrit në balotazh.

Ai ka përmendur fjalët e Xhejms Rubinit, për të cilin ka thënë se ka qenë shumë i qartë kur ka deklaruar se pushteti duhet të ndërrohet.

Sipas Spahiut,  ai që s’i bindet kësaj duhet të shkojë në burg.

“Avni Kastrati duhet të shkojë në burg, andaj më mirë ta dorëzojë pushtetin, sesa Mitrovica prapë të shkojë në zgjedhje të reja pas 1 dhjetorit”.

Bartësi i Listës NDS’së, Sadik Deliqi, ka thënë se shpreson në Agim Bahtirin dhe përmirësimin e përgjithshëm të gjendjes së komunitetit boshnjak në Mitrovicë, pas ardhjes së tij në pushtet.

Bahtiri ka arritur marrëveshje edhe me Bali Ukën, i cili ka thënë se përfaqëson shumicën e anëtarëve të AAK’së. I fundit ka thënë se Bahtiri është një dhuratë që i është ofruar Mitrovicës në momentin e duhur.

Ndryshe kryetari i Degës së AAK’së në Mitrovicë, Shaban Dragaj, një ditë më herët ka hyrë në koalicion me kanidatin e PDK’së për Kryetar të Mitrovicës, Avni Kastrati, i cili më 1 dhjetor do ta ketë përballë kandidatin e AKR’së, Agim Bahtiri.