Agim Veliu: Faturën e huliganëve të VV-së do ta paguajnë qytetarët

Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu ka thënë se ata që dalin në protesta nuk kanë të drejtë ta dëmtojnë pronën private dhe as objektet e institucioneve.

Lajme

25/01/2015 09:03

Veliu për këtë gjendje fajëson partinë e Albin Kurtit. Sipas tij, sjellja e Vetëvendosjes është jo institucionale.

“Ata që dalin në protesta, në radhë të parë duhet të jenë më të përgjegjshëm dhe të mos e dëmtojnë pronën private për shkak se është e shenjtë, dhe, po ashtu, të mos e dëmtojnë pronën e shtetit. Protesta ka të drejtë të bëjë çdokush dhe nuk do t’ua ndalojë askush. Protesta të qeta dhe të kulturuara në bazë të rregullave dhe normave e jo të sillen në atë mënyrë me pronën e qytetarëve dhe me pronën shtetit”, ka thënë Veliu për Gazetën Tribuna.

Ai ka shtuar se objektet e institucioneve janë ndërtuar nga qytetarët, ndërsa ka quajtur absurde shkatërrimin e institucioneve nga njerëz të papërgjegjshëm.

“Dëmtimi i pronës publike i faturohet prapë qytetarëve të Kosovës dhe prapë qytetarët e paguajnë, kështu që ata (Vetëvendosje) me e deshtë Kosovën nuk veprojnë në këtë mënyrë si huliganë. Çka kam pa unë, ajo nuk ka të bëjë me sjellje normale të një subjekti politik, ajo çka ka ndodhë është brengosëse”, transmeton gazeta Tribuna fjalët e Veliut.