Agim Çeku i njofton ushtarakët e tij me FAK’un

Ministri i FSK’së, menjëherë pas vendimit të Qeverisë, i ka njoftuar oficerët e FSK’së për rolin dhe detyrat që Forcat e Armatosura të Kosovës do ta kenë pas transformimit si dhe për organikën e Forcës së re. Ja cilat do të jenë detyrat e FAK’ut.

Lajme

04/03/2014 15:14

Ministri i ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës(FSK), Agim Çeku dhe Komandanti i FSK’së dhe gjenerallejtënant Kadri Kastrati, mbajtën sot, një takim të përbashkët me stafin e lartë të Ministrisë dhe të FSK-së, në ambientet e Kazermës  “Adem Jashari” të Komandës së Forcave Tokësore (KFT), ku Ministri Çeku i njoftoi të pranishmit për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe të Ministrisë së Mbrojtjes.

Ministri Çeku, me këtë rast i njoftoj oficerët e FSK’së si edhe stafin civil të ministrisë mbi procesin nëpër të cilin ndodhet aktualisht FSK’ja si edhe mbi vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për krijimin e Forcave Të Armatosura të Kosovës, si edhe për procesin e Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë prej së cilit kanë dalë edhe rekomandimet e aprovuara në Këshillin e Sigurisë.

Ministri Agim Çeku duke elaboruar konceptin e ri, me këtë rast, tha se Forcat e Armatosura të Kosovës do t’i kenë 5 mijë ushtarë aktivë dhe 3 mijë rezervë.

 

“Si pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes do të jetë shefi i Mbrojtjes, i cili njëkohësisht do të jetë komandat i Forcave të Armatosura të Kosovës, kurse komandant suprem do të jetë Presidentja e Kosovës”, ka thënë Çeku.

Sipas Ministrit Çeku detyrat e kësaj force do të jenë mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, mbështetja e autoriteteve civile, mbështetja komuniteteve, si dhe pjesëmarrja në operacione ndërkombëtare në mbështetje dhe ruajtje të paqes.

Gjithashtu pjesë e fjalës së ministrit Çeku ishte edhe elaborimi i organikës, strukturës dhe misionit të Forcave të Armatosura të Kosovës.