Agim Bahtiri për trenin serb: Qeveria e Kosovës të tregohet që është shtet

Shteti serb sot në mëngjes ka nisur në qarkullim pas 18 vjetësh trenin e tyre nga Beogradi me synim Mitrovicën. Përveç kësaj, Serbia është kujdesur që ky tren të përmbajë provokime të rënda për shtetin e Kosovës, duke e “lulisur” me motive kulturore dhe fetare të Serbisë dhe Kosovës.

Lajme

14/01/2017 13:15

Ky veprim i serbëve ka ngjallur reagime të shumta në Kosovë, duke e quajtur këtë një provokim të radhës të Serbisë ndaj Kosovës. Por përveç deklaratave, krerët e shtetit, asnjëri prej tyre nuk ka dal më ndonjë qëndrim nëse do të ndërmarrin diçka ose jo, shkruan lajmi.net.

E këtë heshtje të Qeverisë e ka kritikuar edhe kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri. Ai në një prononcim për lajmi.net tha se çdokush që e shkel marrëveshjen ndërshtetërorë është akt për t’u dënuar.

Ky siç theksoi ai, është një provokim i rëndë i Republikës së Serbisë që po ia bën Kosovës . “Unë e quaj pjesë provokuese dhe ilegale. Treni nuk ka arritur ende në Mitrovicë dhe nuk e di nëse do të mund të arrij në Mitrovicë por Republika e Kosovës është dashur të kallxohet që është shtet dhe asgjë tjetër”, u shpreh Bahtiri.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka deklaruar se nuk pret që autoritetet kosovare të parandalojnë hyrjen e trenit në Kosovës, pasi që sipas tij, një trajtim i tillë do të thotë nacionalizëm, shovinizëm dhe cenim i lëvizjes së lirë.

Treni do të qarkullojë në linjën Beograd-Mlladenovac-Lapovo-Kragujevc-Kralevë-Rashkë-Mitrovicë./Lajmi.net/