Agim Bahtiri dërgon në Kazakistan 200 punëtorë nga Mitrovica

Falë kompanisë së shefit të tij partiak, Mabetex, Kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri ka përzgjedhur 200 punëtorë nga Mitrovica për t’i punësuar në Kazakistan. Ata do të nisen për këtë shtet aziatik muajin e ardhshëm, pas një trajnimi profesional.

Lajme

26/02/2014 14:41

Më shumë se 200 punëtorë të përzgjedhur nga Mitrovica, së shpejti do të fillojnë trajnimin një mujor dhe më pas do të udhëtojnë për në Kazakistan.

Kështu u bë e ditur të mërkurën gjatë një takimi që është mbajtur në sallën e Qendrës së Kulturës, ”Rexhep Mitrovica”, në Mitrovicë, ndërmjet punëtorëve të përzgjedhur, autoriteteve komunale dhe përfaqësuesve të kompanisë “Mabetex” të përfaqësuar nga Vehbi Asllani.

Kjo kompani drejtohet nga Presidenti i AKR’së, Behgjet Pacolli, parti me të cilën Bahtiri e fitoi garën për Kryetar të Mitrovicës.

Asllani ka sqaruar të pranishmëve procedurat e plotësimit të formularit për trajnim dhe procedurattjera për punëtorët që do të udhëtojnë në Kazakistan.

Bëhet e ditur se të përzgjedhurit do të mbajnë një muaj trajnim, në qendrën për trajnime profesional- GIZ në Mitrovicë.

“Në të ardhmen do të ketë numër më të madh të punëtorëve që do të shkojnë në Kazakistan, por edhe në vende tjera, si në Japoni. Po ashtu do të punësohen mbi 3.500 persona në fabrikën e kërpudhave e që makineritë do të fillojnë punën së shpejti”, ka thënë Bahtiri, duke shtuar se sipas kësaj rrjedhe po realizohet edhe premtimi i tij për punësimin e mijëra personave në qytetin e Mitrovicës.

Të përzgjedhurit kanë falënderuar kryetarin Bahtiri dhe kompaninë “Mabetex” për mundësinë e ofruar.