Agani thotë se marrëveshjet mes MSH-së dhe spitaleve private ishin legjitime

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Ferid Agani vazhdon t’i quajë legjitime marrëveshjet e lidhura mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe spitaleve private, për të cilat ditë më parë prokuroria nisi hetime.

Lajme

13/10/2014 20:51

Ministri Agani tha se vendimin për dhënien e subvencioneve për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore e kishte bërë ai vetë, pasi që këtë ia lejonte Ligji për menaxhimin e financave publike, raporton KTV.

Ndërsa marrëveshjet me spitalet private për trajtimin e pacientëve, sipas Aganit, ishin bërë bazuar në udhëzimet administrative në fuqi.

Ndonëse disa nga mjekët e arrestuar kishin qenë drejtues të këtyre spitaleve apo kishin punuar në këto spitale, Agani thotë se këto spitale do të vazhdojnë të punojnë derisa i plotësojnë kushtet ligjore.

Ai gjithashtu nuk i ka mohuar lidhjet e tij të kamotshme me drejtorin e spitalit Internacional Hospital Medicne, Ali Hoxhaogllu, por thotë se marrëveshja nuk ishte lidhur në bazë të afërsisë së tyre, por pasi spitali ishte njëri ndër institucionet e para private që ofronte shërbime në lëmin e kardiologjisë.

Mirëpo, kreu i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla thotë se marrëveshjet e Ministrisë së Shëndetësisë me spitalet private nuk janë të ligjshme dhe se këto subvencione ishin para të dhëna për interesa të dikujt.

Javën e kaluar u arrestuan 9 mjekë dhe u mor në pyetje ministri dhe sekretari i përgjithshëm i MSH-së me dyshimin se kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, transmeton koha.net.

Ministri shkroi marrëveshje bashkëpunimi me spitalet private, duke u paguar pacientëve shërbimet në këto spitale. Por, më as u kuptua se mjekët nga QKUK-ja merrnin ryshfet dhe rekomandonin pacientët në spitalet me të cilat kishte marrëveshje Ministria e Shëndetësisë, raporton KTV.