Agani: Femra shqiptare, pa të drejtë ka qenë e anashkaluar

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Ferid Agani, ka marrë pjesë sot në lansimin e iniciativës së re që institucionalizon Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor brenda MTI-së dhe MMPH-së.

Lajme

15/03/2016 13:36

Me këtë rast ai ka thënë që ky projekt ka vlera të veçanta dhe se në masë të madhe do të ndikojë edhe në ndryshimin e mentalitet të shoqërisë dhe vetëdijesimit institucional për rëndësinë që gjinia të jetë përcaktuese me rastin e përpilimit të buxhetit.

“Mendoj se sot po lansohet një projekt i cili ka vlera të veçanta dhe të shumëfishta gjithëpërfshirëse. Kjo ka të bëjë me  inicimin e kësaj praktike në procedurat e përpilimit të buxhetit ku merren parasysh kriteret gjinore. Në masë të madhe do të ndikojë edhe në ndryshimin e mentalitetit të shoqërisë sonë dhe vetëdijesimit institucional për rëndësinë që gjinia të jetë njëra prej elementeve përcaktuese me rastin e përpilimit të buxhetit si një instrument me të cilin realizojmë interesat e veçanta të grupeve të caktuara të shoqërisë”, ka thënë Agani.

Ndër të tjera Agani shtoi se gjinia femërore për shkaqe të shumta në radhë të parë historike por edhe të një realiteti ekonomik ka qenë e anashkaluar dhe potencialet e saj nuk janë vënë në funksion të shoqërisë.

“Me të drejtë të plotë vërehet në fakt që gjinia femërore për shkaqe të shumta në radhë të parë historike por edhe të një realiteti të madh ekonomik në masë të madhe ka qenë e anashkaluar, dhe potencialet e saja kreative nuk janë vënë në funksion të shoqërisë”, ka shtuar Agani./lajmi.net