Afganistan: Nga sulmet e ndara janë vrarë policë dhe civilë

Dhjetë njerëz janë vrarë dhe pesë të tjerë janë plagosur nga një sulm vetëvrasës afër selisë së Agjencisë së inteligjencës së Afganistanit në kryeqytetin Kabul, kanë thënë zyrtarët.

Bota

26/12/2017 08:24

Sulmi ka ndodhur dje gjatë orëve të mëngjesit kur ka shumë njerëz nëpër rrugë në një lagje të Kabulit, afër hyrjes së Drejtoratit për sigurinë kombëtare, ka njoftuar Ministria e brendshme afgane.

Në këtë hapësirë gjenden edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe selia e NATO-s.

Përgjegjësinë për këtë sulm e ka marrë grupi ekstremist, Shteti Islamik.

Në një zhvillim tjetër në Afganistan, gjashtë policë kufitarë afganë janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë plagosur, kur makina e tyre ushtarake ka hasur në një bombë në një rrugë në provincën jugore, Helmand.

Për këtë sulm përgjegjësinë e kanë marrë militantët talibanë.