Afganistan: Mbyllen qindra shkolla pas ofensivës së talibanëve

Qeveria afgane ka mbyllur qindra shkolla në provincën Farah, pas një ofensive të talibanëve të kryer gjatë kësaj jave.

Bota

19/05/2018 16:39

Në total, 411 institucione arsimore janë mbyllur, ka njoftuar Mohammad Sadiq Halimi, që është zëvendëskryetar i departamentit të edukimit në këtë provincë.

Ministria e Edukimit më herët gjatë kësaj jave ka njoftuar se shkollat do të mbyllen nga 19 maji, për shkaqe të sigurisë.

“Duke e marrë në konsideratë shqetësimet lidhur me sigurinë, ministra ka vendosur që të gjitha shkollat dhe qendrat e edukimit në provincën Farah të mbyllen, derisa situata të stabilizohet”, thuhet në njoftimin e ministries, shkruan rel.

Shkollat priten të rihapen në fund të muajit të shenjtë të Ramazanit.

Sipas ministrisë, në mbarë vendim, rreth një mijë shkolla janë mbyllur, si pasojë e konfliktit.

Më 15 maj, qindra militantë talibanë sulmuan kryeqytetin provincial Farah, duke marrë nën kontroll shumicën e qytetit. Por, talibanët u larguan nga ky territor pas një operacioni të forcave të sigurisë afgane, të ndihmuara edhe nga avionët e NATO-s.

Megjithatë, përleshjet mes talibanëve dhe forcave qeveritare kanë vazhduar në periferi të qytetit.