Afganistan: 13 ushtarë janë vrarë në luftimet me militantët talibanë

Zyrtarët afganë thonë se 13 ushtarë janë vrarë dhe 8 të tjerë janë plagosur, në luftimet me militantët talibanë në provincën jugore, Kandahar.

Bota

25/05/2017 18:48

Zëdhënësi i Ministrisë së mbrojtjes, Daulat Waziri, tha sot se luftimet kishin ndodhur gjatë natës, pasi militantët kishin depërtuar me dhunë në disa pika të sigurisë së ushtrisë afgane.

Sipas Wazirit, pas disa orëve të luftimeve, talibanët ishin detyruar të tërhiqen.

Zyrtarët afganë thanë se së paku 8 militantë janë vrarë.

Ky sulm u bë në periudhën e ofensivës pranverore të talibanëve, të cilën e filluan në fund të muajit prill, duke shkaktuar luftime të reja në gjithë vendin.

Vonë më 22 maj, militantët talibanë e sulmuan një bazë ajrore ushtarake në Kandahar, duke i vrarë së paku n10 ushtarë.

Zyrtarët thanë se 12 sulmues ishin vrarë gjatë luftimeve që kishin zgjatur disa orë.