Aferat korruptive pjesë e përditshmërisë në shëndetësi

AAK thotë se si pasojë e dështimit në menaxhimin e shëndetësisë institucionet shëndetësore publike kanë shënuar rënie në çdo indikator të performancës ndërkaq që aferat korruptive janë bërë pjesë e përditshmërisë.

Lajme

18/12/2013 12:13

Departamenti për shëndetësi në kuadër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e vlerëson të rëndë gjendjen në shëndetësinë kosovare.

Bartësi i këtij departamenti, doktori Talat Gjinolli, ka shprehur pakënaqësinë e këtij departamenti me gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet shëndetësia e Kosovës dhe dështimin, sipas tij, të Ministrisë së Shëndetësisë në të dy detyrat e saj – sjelljen e politikave të mira shëndetësore dhe menaxhimin e shëndetësisë.

“Në mungesë të Ligjit për sigurime shëndetësore dhe në situatën kur me gjithë aprovimin e Ligjit për odat e profesionistëve shëndetësor, këto ende nuk janë funksionalizuar, Kosova vazhdon të ketë sistem shëndetësor jo të kompletuar”.

“Ndërsa, me Ligj për shëndetësi me përplot zgjidhje të këqija dhe të paimplementueshme është vështirë për të besuar që Kosova mund të ketë sistem funksional në një të ardhme të afërt”.

“Rregullimi i bazës ligjore për shëndetësi, i deklaruar si një prej qëllimeve kryesore të kësaj qeverie, në fakt ka qenë çrregullimi i saj i plotë dhe qeveritë në vijim do ta kenë për detyrë kryesore që atë ta rirregullojnë. Edhe ato pak vendime që mund të konsiderohen të mira, nuk ka asnjë dyshim, kanë qenë të vonuara!”.

Nga ana tjetër, sipas Gjinollit, si pasojë e dështimit në menaxhimin e shëndetësisë institucionet shëndetësore publike kanë shënuar rënie në çdo indikator të performancës ndërkaq që aferat korruptive janë bërë pjesë e përditshmërisë.

“Kjo është evidente në çdo nivel të organizimit të shëndetësisë përfshirë edhe investimet kapitale të Ministrisë së shëndetësisë”.

“Dhe në vend se të shqetësohet për këto probleme, Ministria është marr me rehatimin e familjarëve, miqve, bashkëpartiakëve dhe të njohurve të tyre, duke punësuar dhe ndarë specializime pa marr parasysh nevojat reale të vendit dhe trendët e zhvillimit të shëndetësisë. Dëmi që i është shkaktuar sektorit publik është aq i madh sa që do të duhet shumë kohë dhe mund që ai ta marr vetën përsëri”.

“Çka është edhe më keq, kjo qeveri, vazhdon të mos e ketë prioritet shëndetësinë”.

“Ngritja simbolike që ia ka bërë buxhetit për shëndetësi, në kohën kur i gjithë sistemit është rëndë i nënfinancuar, është dëshmi më e mirë e mungesës së gatishmërisë që me këtë çështje, jetike për qytetarët, të merret edhe në vitet në vijim”.

“Këto për AAK janë tregues më të mirë se kjo Ministri dhe kjo Qeveri nuk kanë zgjidhje për problemet e shëndetësisë. Prandaj ata duhet t’ia lëshojnë vendin një Ministrie dhe një Qeverie të re. Njerëzve që do të ndërtojnë një konsensus nacional dhe mobilizojë të gjithë në ndërtimin e një sistemi shëndetësor që do ti jap cilësi qytetarit dhe dinjitet punëtorit shëndetësor”.