Afera UP, Shkarkohet Dekani i Mjekësisë

Rektori Ibrahim Gashi shkarkoi nga detyra dekanin e Fakultetit të Mjekësisë Naim Haliti, suspendoi Esat Belajn dhe Gazmend Maliqin si dhe i ndërpreu kontratën Arian Janovës pas skandalit për korrupsion që plasi në këtë fakultet.

Lajme

18/12/2013 12:42

Rektori i Universitetit të Prishtinës”Hasan Prishtina’’, Ibrahim Gashi, në përputhje me kompetencat dhe me kërkesë të Këshillit Drejtues të UP-së mori vendim që të shkarkohet dekani i Fakultetit të Mjekësisë të UP-së, Naim Haliti.

Po ashtu suspendohen nga puna Esat Belaj dhe Gazmend Maliqi, asistent në Fakultetin e Mjekësisë, i ndërpritet kontrata Arian Janoves, asistent i angazhuar në Fakultetin Filozofik, thuhet në një njoftim të UP’së.

Shkarkimet dhe suspendimet janë bërë pas skandalit të korrupsionit, keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe shitjes së notave për të cilin 11 persona u arrestuan javën e kaluar në Prishtinë.

Në njoftim thuhet se ky vendim paraqet masë ndaj zhvillimeve të ditëve të fundit në disa njësi akademike të UP-së, të cilat kanë dëmtuar në masë të konsideruar imazhin dhe reputacionin e Universitetit të Prishtinës jo vetëm në opinionin vendor por edhe te partnerët e jashtëm të Universitetit të Prishtinës.

Edhe Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur me datë 18.12.2013 ka kërkuar që menaxhmenti i UP’së, t’i ndërmerr veprimet dhe masat konkrete.

Lëvizja studentore për Barazi “Studim Kritikë Veprim” në një aksion simbolik lidhur me krimin e organizuar në UP dhe arrestimet e fundit thonë se qysh nga koha e Enver Hasanit më pas Mujë Rugova dhe këtij të tanishmit Ibrahim Gashit kanë ardhur si realcion të caktuar klanesh pseudopolitike.

Sipas kësaj lëvizjeje arrestimi i 11 personave tash së fundi është shpërfaqje sipërfaqësore e problemit si të tërë. Lidhjet, sipas kësaj lëvizje, janë tepër më të thella e strukturalisht kriminale.

“Lidhjet janë tepër më të thella e strukturalisht kriminale. Madje një prej të arrestuarve Mevludin Beqiri, kishte qenë edhe kandidat për asamblenë komunale në kuadër të PDK’së, dy të tjerë Arjan Janova dhe Esat Belaj ish anëtarë të organizatës studentore LSR, pra shihet haptazi që lidhjet me pushtetin janë të forta dhe në funksion të njëri tjetrit, pra përfitim personal”, tha Kushtrim Avdimetaj

“Për më tepër godina e tanishme që çjerret pas emrit universitet i shërben pushtetit shumëfish përveç që mundohet të shtrijë pushtetin e vet, po ashtu shërben edhe si vendstrehim, si ngadalësues drejt pikës së pashmangshme e cila do të na çojë patjetër në një shpërthim mbarëshoqëror”.

Avdimetaj ka thënë se kjo veprimtari kriminale nuk duhet të mbarojë thjesht me disa arrestime por duhet të nisë një hetim dhe të mos rresht deri në zbardhjen e bërthamës së këtij krimi të organizuar deri tek majat e hierarkisë administrative të Universitetit Publik.