Afati i kufizuar i përdorimit të një dialogu

Do të ketë gjithnjë e më pak kohë për t’i kryer të gjitha punët e duhura ashtu që Kosova dhe Serbia të kenë relacione të mira fqinjësore, si dy shtete që njohin njeri-tjetrin.

Lajme

01/10/2015 19:57

E dinë që është e kotë. E dinë që kjo është një luftë e humbur qëmoti. Ama, dijen dhe bindjen që e kanë ia nështrojnë emocioneve dhe një tradite politike të krijuar për dhjetëra vjet karshi jush, si shqiptarë dhe si Kosovë.

Përfaqësuesit e Kosovës, së paku tri herë në harkun kohor 1999-2010, apo, prej Konferencës Paqësore të Rambouilletit e deri tek shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe shqyrtimi i rastit të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (korrik, 2010), i kanë dëgjuar këto fjalë prej diplomatëve perëndimorë që ndërmjetësuan në gjetjen e paqes, në zgjidhjen e statusit dhe në përmbylljen e çështjes së Kosovës.

Ky ka qenë në fakt shpjegimi i zyrtarëve serbë, kur janë përballur me një mori argumentesh të këtyre diplomatëve, të cilat nuk i lënin më asnjë derë Serbisë në Kosovë. Pos derës dalëse.

Të gjitha Qeveritë e Serbisë të cilat janë marrë me temën e Kosovës, në atë harkun kohor dymbëdhjetëvjeçarë (1999-2010), e kanë ditur që më Kosova nuk mund të mbahet. Por, së pari, në ato vitet e luftës, Serbia e atëhershme, shtyu Perëndimin që t’i dalë në përkrahje Kosovës, dhe që Pakti NATO të bëhet hiseniku kryesor i çlirimit të Kosovës. Pra, një herë u humb Kosova në luftë, me krimet që Beogradi i bëri në Kosovë. Me luftë dhe me krime zatën edhe u mor Kosova, në vitin 1912.

Pastaj, Kosova u humb edhe në Tryezën politike të bisedimeve, në ndërmarrjen ndërkombëtare të adresimit të statusit të Kosovës, në vitet 2005-2007, të prirë nga Presidenti Ahtisaari.

Së fundit, Serbia pësoi edhe disfatën ligjore ndërkombëtare, me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila i zbrapsi pretendimet e Serbisë për jovaliditen legal të pavarësimit të Kosovës.

Humbja e tretë, zatën, në verën e vitit 2010, u bë shkaktare për hapjen e kapitullit të katërt (dhe final), të bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë, të cilat prej atëherë synojnë që realitetin politik dhe legal të krijuar në Kosovë, ta sendërtojnë në një proces të normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Emëruesi i përbashkët dhe mekanizmi shtytës u gjet në synimet e te dy shteteve, për tu bërë sa më parë që është e mundur, anëtare të Bashkimit Evropian.

Ka edhe shumë për tu bërë në këtë drejtim. Por kohë do të ketë gjithnjë e më pak për t’i kryer të gjitha punët e duhura në mënyrë që Kosova dhe Serbia të kenë relacione të mira fqinjësore, si dy shtete që njohin njeri-tjetrin.

Shkurtimi i kohës në këto bisedime, gjithsesi nënkupton krijimin e një atmosfere politike shumë më pozitive në mes të Kosovës dhe Serbisë, midis shqiptarëve dhe serbëve. Zatën, vet politikanët kryesorë të Beogradit, kohëve të fundit kanë folur troç për domosdoshmërinë e një pajtimi midis shqiptarëve dhe serbëve. Dihet çfarë është fjalori, cila duhet të jetë sjellja në rastin kur synohet të arrihet një qëllim aq sublim.

Por ja që menjëherë pas këtyre deklarimeve buçitëse, të cilat zatën janë konsekuencë e vetë dialogut të Brukselit, në disa raste, fjalët dhe veprimet e Qeverisë së Serbisë dëshmuan në kundërtën, apo, ri-sollën në skenë ato ‘argumentet’ e përmendura fare në fillim të këtj shkrimi, me të cilat justifikohet një humbje tashmë e pësuar.

Një herë patëm të bëjmë me synimet e Kosovës për tu bërë anëtar i UNESCO-s. U morën, prej autoriteteve të Beogradit, nga ‘arkiva’ akuzat më të rënda dhe emocionet më të keqpërdorura kundër shqiptarëve dhe Kosovës, megjithëse, siç e pranojnë ditëve të fundit vet, është pothuaj e pamundur të ndalet hapërimi i Kosovës kah UNESCO.

Së fundit, këto ditë, Qeveria e Serbisë madje dërgoi Notë Proteste OKB-së, për shkak të pjesëmarrjes së Kosvës në Konferencën ndërkombëtare kushtuar luftimit të ekstremizmit të dhunshëm, të organizuar prej SHBA-së, e të mbajtur në hapësirat e OKB-së.

Kosova këtu ishte shtet i barabartë me të gjithë të tjerët.

Vetëm pak vite më parë, Serbia refuzonte të merrte pjesë në çdo ngjarje ndërkombëtare, qoftë edhe të karakterit rajonal, në prani të Kosovës dhe të flamurit të saj.

Dihet që tash kjo pengesë është tejkaluar.

Kështu do të ndodhë edhe me këto të tjerat që kanë mbetur. Këtë e di fare mirë Serbia. Rendi është të pajtohet me realitetin. Më së shumti, sepse ky në fakt është interes jetik i vetë Serbisë.