Aeroporti i Prishtinës themelon “shkollën” për menaxhim të aeroporteve (Video)

Tridhjetë  studentë të Universitetit të Prishtinës do të kenë mundësi të ndjekin mësimet për menaxhim të aeroportit  në Institutin e Shërbimeve të Aeroportit të Prishtinës, i themeluar të mërkurën në një ceremoni të organizuar në Prishtinë.

Lajme

19/11/2014 14:07

Memorandumi i Mirëkuptimit është nënshkruar ndërmjet Limak-ut dhe Universitetit të Prishtinës.

Në ceremoninë e hapjes së këtij instituti u tha se ky institucion do të hap rrugë rinisë kosovare që të aftësohet në punën e menaxhimit të aeroporteve si dhe mundësi punësimi edhe jashtë Kosovës.

Drejtori i përgjithshëm i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Hadun Firat Kokturk,  duke u uruar sukses studentëve të përzgjedhur, tha se këta studentët e suksesshëm  do të përfitojnë profesionalisht.

Edhe  Arbnor Pajaziti, prorektor në Universitetin e Prishtinës, tha se ky institut do t’ju mundësoj studentëve  aftësim profesional në fushën e menaxhimit të aeroporteve.

 “Formimi i këtij instituti ka për qëllim rritjen e mundësive për zhvillim profesional  të studentëve, që do të realizohet përmes kurseve shtesë, më qëllim  të ngritjes se njohurive në lëmin e menaxhimit të aeroporteve”.

“Jemi të nderuar që edhe përmes kësaj të promovohet edhe bashkëpunimi me Universitetin Bazegji, të shkëmbit  të njohurive dhe përvojave mes dy universiteteve publike në Kosovë dhe Turqi”, tha Pajaziti.

Kurse Ebru Ozdemin, kryetare bordit për investime në Aeroportit “Adem Jashari”, tha se përmes këtij projekti rinisë kosovare do t’i ofrohet mundësi më të mëdha për punësim.

“Një nga problemet kryesore  për rininë e këtushme është papunësia, ndërsa ne po përpiqemi që përmes këtij instituti të krijomë mundësi që do të lehtësojnë sadopak këtë problem të rinisë së Kosovës”.

“Ne po e lansojmë këtë projekt për punësimin e gjeneratës së re e të arsimuar mirë. Më të suksesshmit do të kenë mundësi të punojnë jo vetëm në Kosovë, por edhe në mbi  70 aeroporte tjera. Andaj shpresoj se ky institut do të sjellë më të mirën për Kosovën dhe rinin e saj”, tha  Ozdemin .

Të drejtë për aplikim në këtë projekt kanë pasur  studentët të cilët kanë qenë të regjistruar në Fakultetin Ekonomik, Jurdik, Inxhinjerisë Mekanike, Inxhinjerisë Elektrike dhe Kompjuterike dhe atë të Matematikës  dhe Shkencave Natyrore të UP-së.

Për këtë projekt u tha se kanë konkurruar 450 studentë, pas dy testeve janë përzgjedhur 30 më të mirët, ndërsa ligjëratat do t’i përfundojnë në muajin prill.