Aeroporti i Prishtinës pa maket për trajnimin e zjarrfikësve

Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, i cili është marrë me koncesion nga kompania ‘Limak Kosovo’, i mungojnë disa elemente që ka qenë të parapara të kryhen nga kjo kompani.

Lajme

12/04/2018 20:35

Ilir Rama, udhëheqës i Njësitit të Partneritetit Publiko Privat në Ministrinë e Financave, ka treguar për emisionin ‘Jeta në Kosovë’ se cilat pjesë të kontratës mes Qeverisë së Kosovës dhe “Limakut” ende nuk janë përmbushur.

“Pjesa më e madhe është kryer. Një pjesë e vogël e cila në fund të pistës që quhet resa që për sigurinë gjatë aterrimit të aeroplanëve nuk është përfunduar, me kërkesën e MI ka qenë që të shqyrtohet zgjatja e pistës… Nuk ka qenë vetëm resa që nuk ka përfunduar, janë edhe pjesët anësore dhe një pjesë…, një maket për trajnimin e zjarrfikësve”, tha Rama.

Ai po ashtu renditi disa prej obligimeve që koncesionuesi i ka në bazë të kontratës.

“Fillimisht projekti ka pasur të përcaktuar se çka duhet të përmbush partneri privat dhe aty ka qenë terminali i ri me të paktën një numër të caktuar të metrave katrorë, pastaj kulla e kontrollit ajror dhe ndërtesat administrative, platformat e reja për parkimin e aeroplanëve, parking për të paktën 1750 automjete, impianti për trajtimin e ujërave të zeza…” , tha Rama.

Përballë Jeta Xharrës, Rama përgjigjet edhe ndaj pretendimeve të ish-zëvendësdrejtorit në Agjencinë Shtetërore për Navigacion Ajror, Bujar Ejupi për shkelje të shumta të kontratës së lartpërmendur.

Në ‘Jeta në Kosovë’ ndiqni edhe hulumtimin nga ‘Instituti Riinvest’, intervistat me personat përgjegjës për mbikqyrjen e kontratës në fjalë , një pjesë të intervistës me Drejtorin e ASHNA-s, Bahri Nuredini dhe Drejtorin e kompanisë Limak./Kallxo.com