Aeroporti i Prishtinës do ta rinovojë Sallën e Kuqe

Drejtorit ekzekutiv të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, i mjaftoi një herë e vetme që të shkoj në koncertin e Filharmonisë së Kosovës, për t’u krijuar simpati ndaj tyre.

Lajme

26/01/2016 16:55

Madje si duket ai u kënaq aq shumë, saqë së bashku me menaxhmentin e ANP-së, vendosi që të investoj në rinovimin e Sallës së Kuqe në Pallatin e Rinisë, aty ku FK-ja i mban koncertet.

Këtë gjë e ka bërë të ditur drejtori i Filharmonisë, Baki Jashari. Sipas tij punët do të fillojnë shumë shpejt, megjithëse ai nuk ka treguar se sa do të jetë kostoja e këtyre investimeve.

“Jam takuar me menaxhentin e ANP-së vitin e kaluar. Unë nuk kisha qenë në dijeni se ata kishin marrë pjesë në koncert. Drejtori gjeneral ishte shokuar me kushtet e këqija që punon Filharmonia. Me këtë rast ata më njoftuan se kanë marrë vendim që në vitin 2016 të investojnë në Sallën e Kuqe, në renovimin total të brendshëm të saj”, ka deklaruar Jashari,  transmeton KultPlus.

Për këtë renovim po sipas drejtori të Filharmonisë së Kosovës-Baki Jasharit është njoftuar edhe bordi udhëheqës i Pallatit të Rinisë në Prishtinë, ku këta të fundit janë pajtuar që të lejohet intervenimi por duke mos e ndryshuar destinimin në këtë renovim, pasi në këtë sallë nuk ka vetëm koncerte të Filharmonisë së Kosovës, por mbahen edhe shumë organizime të tjera kulturore. /lajmi.net