Aeroporti ‘Adem Jashari’ organizoi vizitë në Turqi me studentë e gazetarë nga Kosova

Instituti i Limakut për Shërbime të Aeroportit ka organizuar një vizitë studimore në Stamboll të Turqisë, për 30 studentët e tij, dhe një grup gazetarësh nga mediet e Kosovës.

Lajme

14/04/2015 16:32

Studentët, gjatë vizitës treditore (27-30 mars), patën mundësi të vizitojnë Aeroportin Sabiha Gokcen, i cili është një ndërtim i kompanisë “Limak”, dhe të mësojnë më shumë për operacionet e tyre. Ata dëgjuan ligjërata nga stafi dhe ekspertët e këtij aeroporti.

Gjithashtu, studentët dhe gazetarët nga Kosova, patën rastin të vizitojnë Universitetin Bogaziçi, me të cilin Limak Kosova është duke implementuar projektin e saj – Limak ASI.

Gjatë vizitës në Universitetin Bogaziçi, studentët patën rastin të ndjekin dhe një leksion mbi aviacionin.

Vizita studimore është ndjekur edhe nga rreth 20 gazetarë të Kosovës, të cilët kanë vizituar selinë e “Limak Holding” në Qendrën Zorlu në Stamboll dhe janë njoftuar në lidhje me punën e kësaj kompanie të fuqishme në industrinë e aviacionit.

Kompania Limak, e cila menaxhon Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ka themeluar në nëntor 2014 Institutin për Shërbime të Aeroportit, i cili synon ngritjen profesionale dhe të kapaciteteve të studentëve kosovarë që të aftësohen në punën e menaxhimit të aeroporteve dhe të punësohen edhe jashtë Kosovës.

YouTube player