Adriatik Kelmendi akuzon Jeta Xharrën se gënjeu, e quan joprofesionale

Gazetari Adriatik Kelmendi përmes një publikimi në Facebook i ka reaguar gazetares Jeta Xharra. Thotë se ajo një situatë të joprofesionalizimit të saj ka tentuar t’ia mveshë atij si tendencë për t’ia ndërprerë fjalën.

Lajme

02/06/2018 22:02

Kelmendi ka sqaruar se si në konferencën e nivelit të lartë për mjedis, ku ai ishte moderator, gazetarja Jeta Xharra si përfaqësuese e KOSID’it kishte pasur një intervistë me kryeministrin Haradinaj. Intervista ishte paraparë të zgjaste vetëm gjysmë ore, andaj Xharra i kishte kërkuar Kelmendit që si moderator të përfundonte panelin më herët dhe t’i jepte më shumë kohë për intervistë.

Kelmendi tregon se arriti t’ia zgjasë Xharrës intervistën nga 30 në 40 minuta. Por, tutje ai tregon se si Xharra po e vazhdonte intervistën edhe më tej se që ishte paraparë në kohën e agjendës.

Për këtë, Adriatik Kelmendi thotë se pati presion nga panelistët, andaj iu desh që ta ndërpresë intervistën e Jeta Xharrës me kryeministrin Haradinaj.

Shkrimi i plotë i Kelmendit në Facebook:

Po të mos ishte patetike dhe e turpshme, do të ishte vetëm qesharake.
Vetëm tash, me vonesë, e kuptova që Jeta Xharra paska tentuar që një situatë joprofesionalizmi të saj që ndodhi në konferencën e nivelit të lartë për mjedisin (organizuar nga Zyra e BE-së në Kosovë, GIZ-i dhe MMPH-ja), të ma mveshë mua kinse si tendencë për t’ia ndërprerë fjalën për arsye të mia personale.
Kjo është thjeshtë një rrenë.
E vërteta është kjo: Unë kam qenë moderator i gjithë ditës së parë të konferencës. Konferencën e kam hapur unë, në orën 9:00 (sipas agjendës) me panel Ramush Haradinaj, Natalia Apostolova, Albena Rashitaj dhe Diella Raçi.
Nga ora 10:00 deri në 10:30, në agjendë ka qenë e paraparë një intervistë e Jetës (në cilësinë e përfaqësueses së KOSID-it) me Haradinajn, kurse nga 10:30 deri në 11:00, në agjendë ka qenë i paraparë fjalimi i ish-nënkryetares së Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek.
Paraprakisht, Jeta më kishte lutur që të mundohem ta përfundoj panelin hapës më herët, në mënyrë që të ketë kohë më tepër për intervistën se sa lejonte agjenda. Me vullnetin e sinqertë që ta ndihmoj i premtova se do të bëj përpjekje dhe ia dola – e ftova që ta bëjë intervistën me Haradinajn në 9:50, pra 10 minuta para terminit më agjendë. Mirëpo, ajo vazhdoi edhe për shumë minuta pas orës 10:30, kur do të duhej ta përfundonte.
Disa herë organizatorët kërkuan prej meje që t’i përmbahem agjendës dhe t’i kërkoj që ta respektonte orarin. Vetë Natalia Apostolova më kërkoi 2-3 herë me ngulm që t’i them që t’i përmbahet agjendës. Përfaqësuesja e GIZ, Atdhetare Kelmendi, gjithashtu më tha se duhet t’i kërkoj ta përfundojë. Kur mu drejtua edhe vetë Ulrike Lunacek, pranë së cilës isha i ulur, që t’i përmbahem agjendës, meqë Jeta po ia konsumonte tashmë edhe kohën e paraparë për fjalimin e saj, unë e luta me mirësjellje që ta rrumbullakësonte bisedën. Kur ajo nuk jepte shenja se do ta respektonte agjendën e saj organizatorët e znj. Lunacek, unë edhe dy herë të tjera u detyrova që t’i them se duhet të vazhdojmë.
Kaq është e vërteta. Plus që edhe vetë Jeta e di këtë, se ia thanë organizatorët menjëherë. Nëse Jeta ka menduar së është më e rëndësishme ajo vetë se znj. Lunacek, se ka të drejtë të të abuzojë me agjendën, duke ia marrë kohën edhe znj. Lunacek dhe duke ofenduar gjithë të pranishmit e tjerë – është diçka që i mbetet vetëm ndërgjegjes së saj.
Unë s’po gjykoj këtu!
Ja ku po i bëj thirrje publike znj. Apostolova, znj. Lunacek dhe znj. Kelmendi, të tregojnë se a kanë kërkuar ato që të ndërpritet intervista, pasi që e kishte kaluar orarin në agjendë. Le të flasin ato. Ose gazetarët le t’i pyesin. Nëse ato do ta mohojnë këtë gjë, unë i turpëruar do t’i kërkoj falje Jetës.
Mirëpo, nëse del e kundërta, atëherë Jeta fare mua të mos më kërkojë falje, por vetëm audiencës për manipulimin që ka dashur ta bëjë.
Plus, që në audiencë ka pasur edhe plot persona të tjerë, përfshirë ambasadorë dhe përfaqësues institucionesh vendore e ndërkombëtare, të cilët mund ta konfirmojnë situatën.
Jo vetëm për ndonjë “interes” timin, por Jeta ka mundur fare lirisht edhe të më shajë personalisht, të ma shajë familjen, shoqërinë ose këdo timin dhe kjo nuk do të më shtynte t’ia ndërpresja fjalën, nëse do të ishte brenda minutave të parapara me agjendë. Thjesht, unë kam kryer punën time me profesionalizëm!
Tendenca për ta paraqitur rrejshëm ndonjë temë të intervistës si motiv për kërkesën që ta përfundojë intervistën është thjeshtë një tentim-goditje e turpshme nën brez.
Por, s’kemi çka e lodhim ose t’ia mbushim mendjen opinionit për veten tonë – që të dy jemi gjatë në jetën publike dhe njerëzit tashmë e dinë saktë se kush jemi e sa profesionistë jemi secili.
Unë s’e kam ndërmend të merrem me të. Le të flasin znj. Apostolova, znj. Lunacek dhe znj. Kelmendi kush po e thotë të vërtetën! Dhe kush po dëshiron të përfitojë vëmendje e vetëreklamë patetike duke u shtirur rrejshëm si viktimë!
Në një rast tjetër, thashë, do të ishte vetëm qesharake…