Adresohen ngacmimet seksuale në universitete

Në ambientet e Universitetit të Prishtinës filloi projekti “Adresimi i ngacmimeve seksuale në universitetet publike”, me ç’ rast u mbajt paneli i parë i diskutimit #mësimJOngacmim.

Lajme

28/10/2016 23:54

Ky projekt u implementua nga organizata jo qeveritare Artpolis dhe u financua nga Ambasada Amerikane në Prishtinë derisa ka marrë  mbështetje edhe  nga Universiteti Publik i Prishtinës.

Gjatë këtij paneli u promovua kampanja #mesimJOngacmim dhe qëllimet që janë vënë mbi krijimin e mekanizmave për raportimin e ngacmimeve seksuale në universitetet publike të Kosovës.

Të pranishmet shpalosën përvojat e tyre dhe theksuan se sa i nevojshëm është luftimi i një dukuri të tillë në kampuset universitare duke mos e arsyetuar në asnjë aspekt ngacmimin seksual.

Ndër të tjera ato treguan rreth pasojave psikologjike dhe anën mentale të viktimave nëse nuk trajtohen sipas ligjeve dhe rregulloreve.

“Historiku i ngacmimeve seksuale, shtjellimi i termeve të sakta rreth ngacmimeve seksuale, dallimi mbi provokimet dhe ngacmimet, mungesa e psikologëve nëpër shkolla, mungesa e kapitujve të veçantë mbi ngacmimet seksuale në tekstet shkollore, mungesa e mekanizmave mbrojtës për studentët dhe profesorët, qenë vetëm disa nga rekomandimet e nxjerra nga të pranishmit në panel”, shkruan në faqen e këtij projekti në facebook.