Adresat e qarta: Kualiteti i vetëm politik – Lajmi.net
Adresat e qarta: Kualiteti i vetëm politik
Autori: Blerim Shala Op-EdOpinion 16:25, 13 September 2017
Është mirë që në politikën tonë u rivendosën raportet e mirëfillta në mes të Qeverisë dhe opozitës. Duket që kjo vjeshtë do të jetë më e rëndësishme në këtë politikë që nga ajo e vitit 2010, kur nisi cikli e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

Megjithëse në këtë politikën kosovare, e cila nuk ia dinë skajin as kufirin çorodisë dhe çrregullimit, ky konstatim vështirë që mund të pranohet (publikisht), duket që të gjithë hisenikët e saj, qofshin ata që e bënë Qeverinë e re, apo edhe të tjerët që mbeten në opozitë, përjetuan lehtësimin kur të shtunën në mbrëmje u bë Qeveria e Kosovës e Kryeministrit Ramush Haradinaj. Të gjithë ishin të raskapitur dhe mezi prisnin që të krijohet një Qeveri, ciladoqoftë ajo, sepse llogaritej, dhe këtu sërish të gjithë duket që kanë të drejtë, që vetë themelimi i saj do të mundësojë një ri-pozicionim të ri në skenën politike të vendit, dhe që do të vazhdojë, tash e tutje, lufta politike me të gjitha mjetet  (le të shpresojmë, kësaj here pa ato të dhunës), e cila është realisht në fuqi tash e mbi tre vjet.

Politika kosovare pra u bë me adresa të qarta, me dy pole politike, gjë që shmang një bredhje të paqartë, pa nisje dhe pa fund, pa qëllim të qartë, në këtë politikën vendore, e cila (bredhje) ishte në fuqi, objektivisht, që prej zgjedhjes së Presidentit  (Thaçi) e këndej, sepse supremacia votuese e koalicionit qeverisës PDK-LDK, komunitetet, nuk arriti në ndërkohë të përkthehej në një vendimmarrje domethënëse për vendin, e cila midis tjerash, do t’i hapte rrugën kosovarëve që pa viza të udhëtojnë në Evropë.
Së paku në këtë aspekt pra, zhvillimi i fundjavës së kaluar, me krijimin e Qeverisë së re të Kosovës, nuk ka si të mos vlerësohet si një ngjarje që sjell qartësi në politikën kosovare, dhe ajo është një cilësi e munguar që nga 11 qershori e këndej, kur u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme. Zatën, e tillë, e jashtëzakonshme ishte politika vendore që prej asaj të diele deri të shtunën e 9 shtatorit.
Pra, është mirë që në politikën tonë u rivendosën raportet e mirëfillta në mes të Qeverisë dhe opozitës. Dikush mund të shtojë këtu që është mirë që edhe raporti në mes të numrave qeveritarë dhe atyre opozitarë shquhet me një distancë fare të vogël, që eviton qysh ditën e parë të funksionimit të këtij ekzekutivi, komoditetin e shumicës çfarë e pati Qeveria e kaluar, i cili realisht u kthye në mangësi të saj. Një afërsi në fuqinë qeveritare dhe opozitare në Parlament, me gjasë, do të mund ta bënte më interesant dhe më frytdhënës funksionimin e Kuvendit të Kosovës, i cili në tri vitet e shkuara, mori trajtat e sheshit të përplasjeve të çdollojshme, të sallave të përkujtimeve dhe komemoracioneve, dhe vetëm rrallëherë u karakterizuar me diskutime që sjellin kualitet në politikë.
Nëse Kuvendi i kthehet mandatit të vet, me këtë raport të forcave që ekziston më mes të Qeverisë dhe opozitës, ai do të mund të ndikonte seriozisht në rrjedhat politike në Kosovë.
Sa i përket vetë përbërjes së Qeverisë së Kosovës, ajo ka si kryetipar të vetin ndërlikueshmërinë. Simbolikisht thënë, dyertë e Qeverisë së Kosovës hapen me gjashtë çelësa, sa janë hisenikë në krijimin e saj, ndërsa ato mund të mbyllen lehtë, me një çelës të vetëm, sepse secili prej partive/ entiteteve që ka kontribut për ngritjen e saj, ka realisht të drejtën e veto-s, apo edhe të prishjes së saj. Herën e kaluar ka qenë ndryshe, apo, mbajtja dhe rrëzimi i Qeverisë është varur vetëm prej dy subjekteve më të mëdha të vendit: PDK dhe LDK.
Kryeministrit Haradinaj do të duhet të përdorë gjithë dijen dhe potencialin që ka, ndërsa kësaj here s’do mend që atij do t’i nevojiten edhe shkathtësitë akrobatike, për ta mbajtë barashpeshën brenda vetë Qeverisë së Kosovës, e cila megjithatë, nuk ka në vete një potencial vendimmarrës  (përmes Kuvendit të Kosovës), i cili mund të arrijë tek vendimet tashmë të klasifikuara si ‘të mëdha’, sepse ai cak mund të mbërrihet vetëm me sigurimin e përkrahjes së subjekteve opozitare. Ndërsa ato nuk kanë, së paku aktualisht, kurfarë disponimi që të bashkëpunojnë me Qeverinë e re të Kosovës, në asnjë çështje a vendim të mundshëm.
Natyrisht, situatën në këtë aspekt e komplikon edhe më shumë 22 tetori, apo mbajtja e zgjedhjeve të rregullta lokale, të cilat me rezultatin e tyre mund t’ia shtojnë barrën apo edhe t’ia lehtësojnë Qeverisë së Ramush Haradinajt.
Në çdo variant, duket që kjo vjeshtë do të jetë më e rëndësishme në politikën kosovare që nga ajo e vitit 2010, kur nisi cikli e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në vend.

Fotolajm

Pandat gjigante mbushin 1 vjeç në Makao
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO
 

Lojëra

  • Play Bubble Trouble
  • Play iStunt 2
  • Play Supercar Showdown
  • Play 8 Ball Pool