Administrata Tatimore ka një njoftim për kuponët fiskalë

Administrata Tatimore e Kosovës për hir të korrektësisë, njofton të gjithë qytetarët të cilët kanë dorëzuar plikot e tyre për rimbursim nga kuponët fiskal për TM4 2016, se verifikimi i plikove ende nuk ka përfunduar, pasi që interesimi i qytetarëve për të qenë pjesë e kampanjës edhe në këtë periudhë ka qenë tejet i madh. Sipas të dhënave nga departamenti i Arkave Fiskale, është edhe një numër i konsiderueshëm i plikove të cilat janë në proces të verifikimit.

Lajme

24/03/2017 10:43

“Po ashtu, për periudhën TM3 2016, janë verifikuar 99%, apo rreth 200 pliko kanë mbetur për tu ri-verifikuar, në mënyrë që të konfirmohen nëse  janë në përputhje me kriteret e vendimit të kampanjës”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

Në ATK thonë se zyrtarët nga departamenti përkatës, janë duke punuar në vazhdimësi në mënyrë që të gjitha plikot e kësaj periudhe të përfundojnë sa më shpejt që është e mundur.

“Me qëllim që t’i mbajmë të informuar të gjithë qytetarët për gjendjen e plikos, nga muaji shkurt i këtij viti ATK ka zhvilluar një modul, përmes së cilit qytetarët mund të marrin përgjigje brenda një kohe të shkurtër, për gjendjen e plikos së tyre përmes sistemit në linkun: https://kuponatfiskal.atk-ks.o… për të gjitha pyetjet, duke filluar nga aplikimi, pranimi, verifikimi, rimbursimi dhe refuzimi (kthimet nga bankat gjatë vitit 2016) i plikove me kuponë fiskal”, ka njoftuar ATK-ja.

I vetmi burim i sigurt i informacionit për gjendjen e plikos, është shfrytëzimi i këtij modul për përgjigje elektronike https://kuponatfiskal.atk-ks.org/AplikimiStatusi.