Dështon reforma në administratën publike (Video)

Njëri ndër katër kriteret kryesore për liberalizim të vizave është edhe reforma në administratën publike. Por këto reforma nuk janë askund.

Lajme

19/05/2015 14:59

Madje anëtarë të Komisionin Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, Administratën publike po e konsiderojnë si skajshmërisht të politizuar dhe, si pasoj e kësaj, është edhe joprofesionale dhe joefikase.

Këto fjalë dolën nga një diskutim publik për Reformën e Administratës Publike në Kosovë të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës së bashku me Komisionin Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, i cili pati për qëllim diskutimin në mes të degës legjislative-ekzekutive dhe shoqërisë civile se ku është Kosova me reformën e administratës publike.

Kjo për shkak se Komisioni Evropian e ka konsideruar reformën e administratës publike si njërën ndër çështjet më të rëndësishme për marrëveshjen e stabilizim asociimit.

Kryetari i komisionit për administratë publike, Qeverisjes Lokale dhe media, Zenun Pajazit, tha se ky aktivitet do t’u mundësojë atyre për t’i rishikuar aktivitetet dhe përgjegjësit e tyre, dhe sipas tij, reformat e administratës publike janë prioritet i theksuar për vite të tëra nga Institucionet e Kosovës.

“Neve si komision një aktivitet i tillë do të na hap mundësi për të shikuar se si t’i adresojmë aktivitetet tona, përgjegjësit tona në periudhën në vazhdim për sa i përket përgjegjësive që i kemi qoftë për projekt ligjet, amandamentimin e tyre, qoftë edhe për monitorimin e zbatimit të ligjeve. Për më tepër reforma në administratën publike janë prioritete të theksuara për vite të tëra nga Institucionet e Republikës së Kosovës dhe për më tepër i kemi parë të theksuara dhe të ritheksuara edhe në raportin e Komisionit Evropian”, tha Pajaziti.

Kurse deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Pantina e cila njëherit është edhe anëtare e komisionit për Administratë Publike, Qeverisjes Lokale dhe Media, tha se administrata është skajshmërisht e politizuar dhe, sipas saj, kjo thuhet në shumë raporte vendore dhe të huaja.

“Se administrata jonë është tashmë skajshmërisht e politizuar dhe si pasoj e këtij joprofesionalizmi dhe jo efikasiteti, nuk është një lajm. Ajo thuhet në shumë raporte, jo vetëm ato vendore të hartuara prej organizatave joqeveritare këtu, por edhe prej raporteve ndërkombëtare përfshirë këtu edhe raportin e progresit të Komisionit Evropian”, tha Pantina.

Edhe Pal Lekaj nga AAK, po ashtu anëtar i këtij komisioni, tha se Kosova ka një administratë të stërngarkuar, të joprofilizuar dhe joprofesionale.

Sipas tij, për të reformuar një administratë normale duhet edhe buxhet, i cili mungon tani.

“E kemi një administratë të politizuar, e kemi një administratë të stërngarkuar dhe jo profesionale, pa objektiva të qarta dhe ajo duhet në mënyrë urgjente që të reformohet. Por, për të reformuar një administratë normal duhet edhe buxhet. Nëse nisemi që kemi një administratë 40 vjeçare, që kemi njerëz që punojnë në administratë, duke filluar nga komunat, në qeveri dhe si mund të reformohet dhe të kemi sukses në këtë. Mendoj që këtu jemi jashtë asaj, sepse sa kam parë në vija buxhetore, nuk kemi buxhet për një reformë detale, apo reformë të suksesshme”, tha Lekaj.

Ndërsa, Ministri i Ministrisë së Administratës Publike Mahir Yagcılar, ju përgjigj këtyre dy të fundit, duke thënë se raportet e fundit e kanë vlerësuar administratën publike me 71 % dhe se buxheti i realizimit të reformave të kësaj administrate me të vërtet nuk është i mjaftueshëm.

Në këtë takim e morën fjalën edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, të cilët kërkuan që kjo administratë për të pasur përparime më të mëdha dhe të jetë në nivelin e duhur nuk duhet të udhëhiqet nga njerëz të cilët janë të përfshirë në politikë.

(KosovaPress).

 

YouTube player