Ademi: Më 3 maj, Kosova 99% në UEFA

Nënkryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi është i bindur se Kosova më 3 maj do të pranohet në UEFA.

Sport

03/04/2016 12:35

Njeriu i dytë i FFK-së në një intervistë për KP, ka thënë se FFK-ja ka punuar shumë për ndërkombëtarizimin e futbollit kosovar. Ai është i bindur se puna e madhe që ka bërë FFK-ja do të shpërblehet më 3 maj në Kongresin e Budapestit.

Ademi thotë se FFK ka lobuar mjaft shumë tek federatat anëtare të UEFA-së, madje, sipas tij, kreu i FFK-së, Fadil Vokrri akoma është duke punuar në këtë drejtim në mënyrë që te jemi të sigurt se Kosova në fillim të muajit maj do të jetë në shtëpinë e futbollit evropian.

“Optimizmi i jonë është i mirë, sepse kemi punuar për këtë punë dhe besoj se ajo punë do të shpërblehet me 3 maj. Ne përkundër optimizmit tonë, përkundër punës që kemi bërë deri tani, ne prapë po vazhdojmë me lotimin. Ne para 3 majit të gjithë do të jemi atje për faktin se edhe një herë do të takohemi me gjitha federatat anëtare të UEFA-s, para se te hyhet në mbledhje. Shpresoj dhe besoj se do të jemi në një darke të përbashkët dhe të hyjmë sa më të sigurt më 3 maj, dhe 99 për qind Kosova do të jetë në UEFA më 3 maj”, ka thënë Ademi, transmeton GazetaOlle.

Ai ka folur edhe për pjesëmarrjen e klubeve tona dhe Përfaqësuesen në garat ndërkombëtare. Ademi është i bindur se Kosova do të jetë pjesë e kualifikimeve për Kupën e Botës “Rusia 2018”.

“Jemi të gatshëm si përfaqësuese. Sa i përket kualitetit e dimë se në çfarë niveli jemi dhe besoj se nuk do të çalojmë. Kosova ka mjaft lojtarë jashtë vendit dhe shpresoj e besoj se ata do të jenë pjesë e Kosovës në mënyrë që të jemi shumë konkurrues në Kampionatin Botëror, dhe për kualifikimet. Një javë pas 3 majit, pra më 12 maj do të jemi në Meksikë, dhe do të pranohemi edhe në FIFA, dhe pas pranimit Kosova do të jetë pjesë e grupit që do të ketë vetëm pesë ekipe për kualifikimet në Botëror”, ka thënë Ademi.

Njeriu i dytë i futbollit tonë, ka folur edhe për mundësinë që disa nga futbollistët si Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, dhe Adnan Januzaj të veshin fanellën e Kosovës. Ademi thotë se gjithçka është në dorën e vetë futbollistëve të cilët do të vendosin nëse do të jenë pjesë e Kosovës apo jo. Ai ka thënë se në Përfaqësuese do të mirëpriten të gjithë ata që duan të veshin fanellën e Kosovës.

“Ende nuk ka ardhur ai moment. Ata janë të angazhuar në përfaqësuesen e Zvicrës dhe unë shpresoj se do të kenë sukses në Evropian, por edhe lojtarët tjerë që janë në Kombëtaren tonë shqiptare. Realisht është në dorën e tyre, është e drejt e tyre. Kosova është e të gjithëve, e atyre që e njohin shtet të vetin, e atyre që e njohin si origjinë të tyre dhe secili që dëshiron të vjen është i mirëseardhur, por ne nuk do të insistojmë te askush dhe në askënd”, ka pohuar Ademi.

Ai ka folur edhe për rrjedhën e garave të këtij sezoni. Ademi mendon se garat e këtij kampionati kanë shkuar mirë, dhe sipas tij, në këtë edicion të garave, ka një rritje të vogël të cilësisë.