Adem Demaçi dhe Ne

Llogaritja finale për jetën e Adem Demaçit është bërë qëmoti, shumë para se këtë të enjte, të na braktiste. Për herë të parë dhe të fundit. Liria e të gjithë neve, dhe shtet i Kosovës, nuk kanë si të paramendohen pa te.

Lajme

27/07/2018 10:57

Punë Sizifi.

Ideja që shqiptarët e Kosovës, të cilët Rendi i ri ndërkombëtarë i krijuar pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, i pati bërë trefish të okupuar  (nga Jugosllavia, nga Komunizmi dhe nga ‘Lufta e Ftohtë’), do të mbërrinin ndonjëherë të bëheshin të lirë, si popull, apo që do të mund të vendosnin vet për fatin e tyre  (në çlirimin nga kobi historik dhe politik), gjithsesi ka mundur të baraspeshohej me atë përpjekjen e kotë, të mundimshme dhe tragjike të Sizifit për ta çuar gurin në maje të malit.

Këtë detyrë, sidoqoftë, e pati marrë në Kosovën e viteve të pesëdhjeta, Adem Demaçi, i cili tek pati hyrë në moshën madhore. Ai së pari i bëri hesapet me ndërgjegjen e tij, e pastaj, me jetën e tij dhe me gjithë shoqërinë dhe shtetin ku jetonte. Nuk ishte rendi që Demaçi ta qetësonte ndërgjegjen e tij, pa nisur ta rrokullishte këtë gur, që po të mbërrinte në fund, do ta kishte domethënien që shqiptarët e Kosovës do të bëheshin të lirë politikisht, dhe kjo liri, në ato rrethanat e atëhershme do të kishte kuptimin e jetësimit të së drejtës për ta bashkuar Kosovën me Shqipërinë.

Të gjitha pasojat e këtij vendimi të tij, që ishin të pashmangshme në atë kohë, duke përfshirë këtu edhe vdekjen e dhunshme, ishin dorëzuar para aktit të Demaçit karshi ndërgjegjes së tij.

Për këtë shkak, Demaçi do ta ndinte veten të lirë, për çdo ditë të 28 viteve të kaluara në burgjet e Jugosllavisë së atëhershme.

Zatën, për këtë shkak, ai, siç e dinë të gjithë ata që kanë kaluar sado pak kohë me, asnjëherë nuk i ka llogaritur në moshën e tij të plotë, këto vitet e kaluara në burg. Prandaj, po të mund të na fliste tash, ai do të na thoshte që nuk ka vdekur si një 82 vjeçar, por si një burrë që tek i ka bërë 54 vjet jetë.

Paradoksalisht, ndikimi i tij, si politikan i anatemuar për tridhjetë vjet me radhë, do të ishte më i madhi i mundshëm, në kontekstin e ruajtjes së idesë së vetëvendosjes për shqiptarët e Kosovës, në kuadër të Lëvizjes ilegale, teksa askush nuk mund ta shihte, askush nuk mund të fliste me te, askush nuk mund ta dëgjonte ate.

Ai ishte fshirë nga faqja e dheut në Kosovë. Librat i ishin ndaluar, përmendja e emrit bëhej me pëshpërimë, referimi për te mund të kushtonte një dënim shumëvjeçar me burg.

Mungesa e tij fizike këndejpari, poqëse ndonjëherë do të shkruhet një histori objektive e politikës shqiptare në Kosovë, ka qenë mungesa më domethënëse, më influencuese, më e veçanta ndër shqiptarët e Kosovës.

Sot, në rrethanat krejtësisht të tjera për të gjithë ne, poqëse duam, (dhe i lëmë menjanë të gjitha çoroditë mbizotëruese në politikën dhe shoqërinë kosovare), mund ta bëjmë fare lehtë një vlerësim për rolin që Demaçi ka pasë në historinë e shqiptarëve të Kosovës tash e gjashtëdhjetë vjet. Për më shumë, me një saktësi edhe më të madhe do të mund të mbërrinim tek konkludimet se cila do të ishte kjo histori pa te.

Adem Demaçi ka qenë dhe ka mbetur një figurë komplekse, e ndërlikuar, brenda të të cilit kanë bashkëjetuar revolucionari dhe demokrati, radikali dhe i moderuari, shkrimtari dhe politikani, ateisti dhe besimtari, iridentisti dhe mbështetësi i shtetit të Kosovës, kryengritëse dhe paqësori.

Dhe i tillë ky ka qenë gjatë gjithë kohës, gjithmonë, deri në çastet e fundit të jetës së tij.

Kështu, ai ka qenë i pari që ka besuar që do të vie koha kur shqiptarët do të jenë të lirë, e më pas, do të jetë ndër të rrallët që ka pasë dyshime thelbësore që Kosova mund të çlirohet me Konferencën e Rambouilletit apo që mund të bëhet shtet i pavarur me procesin e Vjenës.

Por, edhe këtu, në këtë rast, vetëm ai ka mundur të jetë i tillë. Dhe vetëm ky edhe në këtë mënyrë, ka mundur t’i ndihmojë Kosovës.

E dimë të gjithë: Sizifët/ shqiptarët e Kosovës, u bënë bashkë në ato vitet e nëntëdhjeta, dhe e çuan gurin deri në fund.

E ndryshuan fatin e tyre. U bënë të lirë një herë, dhe e bënë shtetin pastaj.

Por askush nuk mund ta harrojë atë që mori guximin ta nisë ndryshimin e këtij fati.

Po të isha kompozitor, na pati thënë një herë neve disave që bisedonim me te, do të dija më së miri të shprehja ndjenjat e mia, rrugëtimin tim, jetën time.

Fjalët nuk mjaftonin. Ashtu ishte i bindur.

Në ditët e para pas çlirimit, diku në fund të qershorit (të vitit 1999), do të takohesha me te dhe me një mike të përbashkët, afër shtëpisë së tij.

Të dytë ishin dhënë aq shumë pas një debati për një prijës shpirtëror të hinduizmit (Sai Babën), saqë ishte e pamundur të flisnim menjëherë për të gjitha përjetimet e tij gjatë fushatës së Aleancës Veriatlantike.

Më pas, ai rrëfeu qetë për të gjithat. Kallëzimi i tij të thuash ishte poai i para katërdhjetë viteve, kur pati vendosur që jetën, trupin dhe shpirtin e tij të ia kushtojë popullit të vet.

Isha i gatshëm të vdes këtu. Isha i qetë. Kaq. Më pati thënë.

Llogaritja finale për jetën e tij është bërë qëmoti, shumë para se këtë të enjte, me 26 korrik, të na braktiste. Për herë të parë dhe të fundit.

Liria e të gjithë neve, dhe shtet i Kosovës, nuk kanë si të paramendohen pa te.

Kështu do të jetë sa të ketë shqiptarë dhe sa të ketë Kosovë.