Acarohen edhe më shumë raportet Serbi- Kroaci, Sheshel: Flamuri kroat është i njollosur me gjak

Raportet mes Serbisë dhe Kroacisë janë ashpërsuar edhe më shumë gjatë ditëve të fundit.

Lajme

02/05/2018 13:35

Kryeprokurori i Kroacisë, Drazen Jeleniq ka bërë të ditur që është ngritur një hetim ndaj liderit të Partisë Radikale Serbe, Vojisllav Sheshel, për veprimet e këtij të fundit, shkeljen e flamurit kroat si dhe kërcënimet ndaj delegacionit të Kroacisë i cili po vizitonte Serbinë, transmeton lajmi.net.

“Sipas pikëvështrimeve të kësaj situate të krijuar, duhet të fillojmë me deklaratat e delegacionit kroat i cili po merrte pjesë në Serbi, duke u bazuar në to do të shohim për prova të tjera”, deklaroi kryeprokurori kroat, Drazen Jeleniq.

E personi veprimet e të cilit u bënë shkaktar i acarimeve të raporteve Serbi-Kroaci, Vojisllav Sheshel, duket se nuk është penduar aspak për një gjë të tillë.

Madje duke folur për “Informer”, Sheshel tha se shteti i ustashëve të Kroacisë nuk ka ndonjë lloj reputacioni të cilin ai mund ta ketë dëmtuar.

“E para, shteti i Ustashëve të Kroacisë nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë reputacion, kështu që nuk kam pasur se çka t’i dëmtoj. E dyta, flamuri kroat është i njollosur dhe i shtrembëruar me gjakun e Serbëve, Hebrenjve dhe Romëve, sa që ekzekutimi im nuk do të ishte i dukshëm në të. E sa për procedurën që është duke u inicuar ndaj meje në Kroaci, them se ata lirisht mund të më marrin për shtëpinë”, i’u kundërpërgjigj Shesheli autoriteteve kroate.

Deklarata të ngjashme ishin bërë edhe gjatë ditës së djeshme, ku ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, e kishte akuzuar Kroacinë se ka mbajtur anën e Hitlerit në kohën e nazizmit./Lajmi.net/