Acarimi Opozitar

LDK dhe Vetëvendosje kanë polemizuar në distancë gjatë tërë ditës për vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë. Nëse nuk ka arritur ta ndalë Dacicin që ta vizitojë Kosovën, Kryeministri Thaçi ka arritur një gjë tjetër: ta acarojë opozitën mes vete.

Lajme

09/10/2013 19:12

LDK dhe Vetëvendosje nuk i kanë lëshuar rrugë sot njëra- tjetrës në çështjen e vizitave të liderëve serbë në Kosovë.

Të dy partitë kanë polemizuar gjatë tërë ditës përmes deklaratave me shkrim rreth çështjes së biseduar në Bruksel të hënën ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi tdhe homologut të tij serb, Ivica Dacic.

Për ta nisur betejën e fjalëve u përkujdes së pari Vetëvendosje të martën kur akuzoi LDK’në se po mbështet Kryeministrin Thaçi në bisedimet e tij në Bruksel.

LDK iu përgjigj sot, Vetëvendosje u kundërpërgjigj, ndërsa LDK reagoi për herë të dytë në orët e mbrëmjes.

Në reagimin e saj të fundit, LDK thotë se “pas përsëritjes së deklarimeve të pamatura, jokorrekte dhe të pavërteta” të Lëvizjes Vetëvendojse, Lidhja Demokratike e Kosovës edhe një herë kërkon nga kjo Lëvizje që të jetë e përgjegjshme në këtë proces jetik për vendin”.

“Qëndrimet e LDK’së janë të qarta dhe publike, ashtu si edhe veprimi i saj politik e institucional. LDK artikulon qëndrime dhe ndërton veprime pa zhurmë dhe e përgjegjshme për të gjitha proceset në Republikën e Kosovës”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

Sipas LDK’së, interesat e shtetit dhe të qytetarëve mbrohen me punë e me sjellje të përgjegjshme dhe jo me britma e denigrime.

Më parë, Vetëvendosje kishte akuzuar LDK’në se po e fsheh të vërtetën nga opinioni.

“Në një deklaratë të sajën, Lidhja Demokratike e Kosovës shprehet se nuk është dhe nuk ka qenë pjesë e bisedimeve që i zhvillon Qeveria e Kosovës me Qeverinë e Serbisë. Por, në këtë deklaratë, LDK nuk i tregon publikut nëse i mbështet apo jo negociatat më të fundit, si dhe nëse e pranon apo jo vizitën e zyrtarëve serbë në Kosovë gjatë periudhës së fushatës”.

“LDK po përpiqet të duket sikur nuk ka marrë pozicion mbi këtë çështje kaq të rëndësishme, por qytetarët e dinë mirë se asnjanësia ndaj negociatave për vizitat e zyrtarëve serbë gjatë fushatës në Kosovë, nuk është pozicion opozitar por miratim në heshtje për Thaçin dhe qeverinë e tij”.

Vetëvendosje ka thënë se LDK ka dalë hapur në mbështetje të negociatave duke votuar në Kuvend Rezolutën për Normalizimin e Marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve Kosovë – Serbi, si dhe Ligjin për Amnistinë.

“Në këto momente, si dhe në shumë raste të tjera, LDK-ja është bërë mbështetëse e PDK-së, në dëm të Kosovës, në dëm të kombit dhe të qytetarit”, ka thënë Vetëvendosje.

Ndërsa në reagimin e parë, LDK kishte thënë se nuk ka qenë dhe nuk është pjesë e bisedime që po i zhvillon Qeveria e Republikës së Kosovës me Qeverinë e Serbisë.

Sipas LDK’së, marrëveshja e fundit e arritur në Bruksel, që ka të bëjë me vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë gjatë fushatës parazgjedhore, është marrëveshje e Kryeministrit dhe e Qeverisë së Kosovës.

“LDK i bën thirrje Lëvizjes Vetëvendojse që të jetë korrekte dhe të mos përpiqet ta manipulojë opinion për efekt fushate, me pretendime se kinse partitë opozitare e kanë mbështetur këtë marrëveshje”.

“LDK e konsideron tepër të rëndësishme që subjektet politike në Kosovë ta kuptojnë se secili flet vetë në emrin e vet”.