Abrashi: Shpendi i ka diskriminuar të rinjtë dhe kuadrot e Prishtinës në punësim

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka thënë të shtunën në Besi se kryetari në ikje i Prishtinës, Shpend Ahmeti i ka diskriminuar të rinjtë dhe kuadrot e Prishtinës në punësim.

Lajme

23/09/2017 21:15

“Prioritet i lartë i yni është punësimi i të rinjve. Ne mendojmë se janë diskriminuar të rinjtë dhe kuadrot e reja të Prishtinës nga Shpend Ahmeti dhe qeverisja komunale. Janë punësuar njerëz nga gjithkah, të cilët nuk i dinë as vendet dhe as nevojat e qytetit. Unë do ta ndryshojë këtë fakt dhe qytetari i Prishtinës do të ketë prioritet në punësim”, ka thënë Abrashi.

Ai ka thënë se ne do t’i ndihmojmë punëkërkuesit, duke qenë komuna e parë që do të kemi Fondin e Punësimit prej 1 milionë euro fillimisht, për ato kategori që e kanë të vështirë të gjejnë vende pune.

“Ne do ta rrisim përqindjen e punësimit të të rinjve dhe grave, por edhe të moshuarit që kanë humbur vendet e punës dhe nuk po munden depërtojnë në tregun e punës”, ka thënë kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës.

Ai e ka kritikuar qeverisjen e Shpend Ahmetit duke thënë se për katër vite nuk e ka ndërtuar asnjë shkollë, ndërsa para ardhjes së Vetëvendosjes, janë ndërtuar 22 shkolla në Prishtinë.

“Një kryetar që nuk është zoti të ndërtojë një shkollë për katër vite, çfarë mund të bëjë nëse i kërkon edhe katër vite të tjera. Këtë nuk do ta lejojnë qytetarët e Prishtinës. Ata me votën për LDK-në do ta sjellin ndryshimin”, ka thënë ai.

“Puna e parë që do ta bëjë është dera e hapur e komunës për çfarëdo problemi që ju keni ”, ka thënë Abrashi për banorët e Besisë.

Ai ka thënë se buxheti i Prishtinës është i mjaftueshëm për t’i trajtuar kërkesat që i kanë qytetarët e Prishtinës, por nevojiten kapacitete për menaxhimin e tij në mënyrë të duhur dhe racionale. “Në katër vitet e fundit nuk është punuar fare. Në secilën komunë të Kosovës është bërë diçka për këto katër vite, për dallim prej Prishtinës ku nuk është bërë asnjë projekt i madh që prek nevojat e qytetarëve”, ka thënë Abrashi.

Ai ka thënë se në katër vitet e shkuara buxheti i Prishtinës ka rënë për 15 milionë euro, ndërsa tatimi në pronë është trefishuar në shumë lagje.

“Për Besinë dhe fshatrat e Prishtinës do t’i rrisim subvencionet, për të gjithë ata që merren me bujqësi. Do t’i subvencionojmë kulturat ku leverdia ekonomike është më e mirë. Ne do ta ulim tatimin në pronë në kryeqytet. Në muajt e parë do ta ndryshojmë rregulloren dhe do ta kthejmë siç ka qenë në vitin 2013. Të gjitha këto do të realizohen kur të fitojmë në Prishtinë”, ka thënë Abrashi.

Abrashi është pajtuar me përfaqësuesit e Besisë, të cilët kanë kërkuar përfundimin e kanalizimit, ndërtimin e qendrës kulturore-sportive, ndërtimin e trotuareve, subvencione për bujqësi dhe vende pune për të rinjtë.

Kandidati i LDK-së për Prishtinën, të shtunën ka takuar edhe 11 përfaqësues të radio-taksive të cilët punësojnë 1000 punëtorë.

Përfaqësuesit e radio-taksive kanë kërkuar vende për parkimin e automjeteve të tyre, largimin e taksive ilegalë dhe miratimin e një rregulloreje për këtë fushë.

Abrashi është zotuar se këto biznese do të kenë vendin e merituar në qeverisjen e ardhshme lokale.

 

Zyra për Informim e LDK-së