Abrashi: Programi ynë garanton perspektivë, punësim dhe fuqi vendimmarrëse për gratë

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, gjatë një takimi me kandidatet gra për Asamble Komunale të Prishtinës, ka thënë të hënën në mbrëmje se Programi i LDK-së për Prishtinën garanton perspektivë, punësim dhe fuqi vendimmarrëse për gratë.

Lajme

16/10/2017 20:38

“Gratë janë gjysma e Kosovës dhe më shumë se gjysma e LDK-së. Ato kanë qenë pjesë esenciale gjatë përpilimit të Programit të Lidhje për Prishtinën. Idetë e tyre jashtëzakonisht të çmuara do të zbatohen pikërisht nga gratë, sepse gjysmën e drejtorive në Prishtinë do t’i drejtojnë gratë. Jam i bindur se edhe në Asamblenë Komunale gratë e LDK-së do të kenë pozita meritore”, ka thënë Abrashi.

Ai ka pohuar se programi i tij garanton krijimin e mundësive që gratë dhe vajzat të japin kontributin e tyre profesional për zhvillimin e Prishtinës.

“Bashkë, ne do të krijojmë kapacitete të mjaftueshme për sistemimin e fëmijëve në çerdhe, kopshte dhe shkolla, publike e private, që t’u mundësojmë nënave e motrave tona të realizojnë potencialin e tyre profesional e personal dhe të drejtën për të qenë qytetare aktive”, ka thënë Abrashi.

Ai ka thënë se është krenar që “që brenda shtëpisë sonë politike ka kaq shumë gra e vajza, të cilat janë të profileve të ndryshme dhe do të jenë artikuluese të programit tonë për qeverisjen e Prishtinës gjatë mandatit të ardhshëm”.

Abrashi ka pohuar se nën drejtimin e tij, Komuna e Prishtinës do t’u krijojë hapësirën që meritojnë grave dhe vajzave tona, që ta menaxhojnë kryeqytetin, ashtu siç menaxhojnë shtëpitë tona.

“Jam i vetëdijshëm se barrën e përkujdesjes, jo vetëm ndaj fëmijëve, por edhe ndaj personave të moshuar, gjyshërve tanë të dashur, e mbajnë nënat, gratë dhe motrat tona. Ne synojmë dhe kemi projekte konkrete për ndërtimin e institucioneve të kujdesit ditor dhe kujdesit të përhershëm për moshat e treta. Ata meritojnë, që krahas ngrohtësisë së familjes, të kenë një jetë sociale dhe rekreative me bashkëmoshatarët e tyre”, ka thënë Abrashi.

Ai ka thënë Lidhja Demokratike e Kosovës, si parti e qendrës së djathtë dhe e integruar plotësisht në familjen e Partive Popullore Evropiane, është e vendosur që ta avancojë rolin e gruas, sepse ne jemi plotësisht të bindur se kështu ne vazhdojmë traditën e ruajtjes së familjes, si një vlerë e çmueshme e traditës sonë kombëtare, por edhe si vlerë e civilizimit tonë.

Kandidati i LDK-së për Prishtinë, potencoi se në sektorin e arsimit do të punohet për pjesëmarrje të barabartë të dy gjinive në arsimim, si në arsimin parashkollor, fillor, atë të mesëm, e po ashtu edhe në arsimin e lartë.

Kryetarja e Forumit të Gruas së LDK-së, Lirije Kajtazi, ka thënë se pas fitores së Arban Abrashit më 22 tetori, jo vetëm Prishtina, por e tërë Kosova do të frymojë ndryshe.

“Nënat janë heroina të vërteta dhe e tillë është edhe nëna e Arbanit, të cilën e falënderoj që është me ne, ashtu sikur edhe zonja Mustafa që e përkrahu vazhdimisht kryetarin tonë Isa Mustafa, si kryeministri më i suksesshëm që ka pasur Kosova”, ka thënë Kajtazi.