Abrashi: Po shqyrtojmë mundësitë ligjore për rinumërim, askush mos të frikësohet

Ish-kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi ka komentuar rezultatet për Prishtinën, pas numërimit të votave me kusht dhe me postë.

Lajme

27/11/2017 20:50

Ai ka këmbëngulur në rinumërim, që sipas tij do ta ruante besimin e qytetarëve.

“Unë dhe ju, së bashku, insistojmë që rinumërimi të ndodh sepse ky proces do të hiqte çdo dilemë dhe do të ruante besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor dhe në rezultatin përfundimtarë të këtij procesi. Rinumërimi nuk cenon të drejtën e askujt, moslejimi i tij pa një bazë të qartë ligjore përkundër dëshmive tona ndërsa, cenon të drejtën time dhe të votuesve vota e të cilëve duket se është manipuluar”, ka shkruar në facebook Abrashi.

Abrashi ka deklaruar se rinumërimit nuk duhet t’i frikësohet askush, duke shtuar se po shqyrtohen të gjitha mundësitë ligjore që kjo të ndodhë.

Sipas Abrashit, rinumërimi është i vetmi mekanizëm që korrigjon rezultatet përfundimtare.

“Rinumërimi edhe në të kaluarën ka ndodhur në Kosovë, nga ky proces nuk ka nevojë të frikësohet askush. Prandaj në jemi duke shqyrtuar të gjitha mundësitë ligjore që të realizojmë rinumërimi si mekanizëm i vetëm që korrigjon dhe saktëson rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për Kryetar të Prishtinës!”, ka shkruar në facebook Arban Abrashi.

Ndryshe me rezultatet aktuale, Shpend Ahmeti e ka fituar garën për Prishtinën me 365 vota më shumë se kandidati i LDK-së. /Lajmi.net/