Abrashi: Nga e hëna merren pensionet familjare dhe invalidore

Pensioni familjar dhe ai invalidor i punës do të fillojnë të merren që nga e hëna më 27 mars prej momentit të aplikimit.

Lajme

21/03/2017 13:41

Kështu ka deklaruar për Ekonomia Online, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi. Ai ka ftuar të gjithë të interesuarit që pretendojnë që mund të jenë përfitues të këtyre pensioneve që të fillojnë duke aplikuar.

“Ajo çka po ndodhë është që dje pas konsultimeve publike ashtu si e parasheh ligji dhe udhëzimet tjera administrative kemi nënshkruar udhëzimin e fundit administrativ për këto dy skema dhe nga dje deri të hënën qytetarët e Kosovës mund të vizitojnë zyrat pensionale dhe të marrin informata shtesë dhe të marrin formularët e aplikimit në mënyrë që të aplikojnë për dy skema pensionale që janë në kuadër të sistemit tonë pensional. Është pensioni invalidor i punës dhe pensioni familjar, i cili fillon së aplikuari teknikisht nga e hëna e ardhshme”, ka deklaruar ministri Abrashi.

Ai ka thënë që këto dy skema janë të reja duke theksuar se pensioni invalidor mund të merret për të gjithë atyre që lëndohen në punë, derisa ai familjar nënkupton trashëgiminë ose marrjen e pensionit tek njëri nga bashkëshortët si formë e trashëgimisë.

“Këto janë dy skema të reja pensionale. Në këtë rast kemi të bëjmë me pensionin invalidor të punës që realisht nënkupton të gjithë ata të cilët që lëndohen në punë dhe për shkak të atij lëndimi nuk mund të punojnë tutje, atëherë shteti përkujdeset për një pension. Ne urojmë që askush të mos lëndohet por sidoqoftë janë gjëra të cilat ndodhin dhe ne si shtet tani marrim obligim për gjithë atë”, ka thënë Abrashi.

“Kjo e rrit edhe sigurinë e të gjithë atyre që punojnë, e lehtëson procesin e punës dhe mbi të gjitha përmirëson mirëqenien e tyre. E njëjta ndodhë edhe me pensionin familjar që ka të bëjë me një pension që nënkupton trashëgiminë ose marrjen e pensionit tek njëri nga bashkëshortët si formë e trashëgimisë në kuadër të kushteve specifike që ka të bëjë edhe me moshën e bashkëshortit, por ka të bëjë edhe me moshën e fëmijëve që i kanë”, ka thënë ai.

Sipas Abrashit nga e hëna në Zyrat e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale pranohen aplikacionet.

“Nga e hëna fillon aplikimi, këtë javë është java e konsultimeve, marrja e aplikacioneve dhe sqarimeve të tjera të nevojshme. Nga e hëna teknikisht zyrat tona i pranojnë aplikacionet. Këto pensione do të fillojnë të merren nga e hëna e ardhshme ashtu si aplikojnë njerëzit, pensionistët nëse i plotësojnë kushtet ata e marrin pensionin nga dita e aplikimit”, ka pohuar ai.

Abrashi ka thënë se këto dy skema të reja pensionale ngritin mirëqenien e qytetarëve tanë, duke lehtësuar proceset e punës dhe na ofrojnë edhe një hap para reformës pensionale.