Abrashi: Kandidatët po premtojnë realizimin e skemave që tashmë ekzistojnë

Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Arban Abrashi ka thënë se nuk po e kupton se si kandidatët për kryeministër po premtojnë realizimin e skemave që tashmë ekzistojnë.

Lajme

29/05/2017 22:19

Përmes një postimi në Facebook, Abrashi ka thënë se të premtosh hapjen e një zyre për vetëpunësim të të rinjve, është pikërisht të premtosh diçka që kjo qeveri e ka bërë qe dy vite e gjysmë, transmeton lajmi.net.

Lexo postimin e plotë:

I kuptoj kandidatët kur premtojnë realizimin e punëve dhe programeve me ardhjen e tyre eventuale në pushtet, sepse jemi në kohë fushate. Është normale. Çfarë nuk arrij të kuptoj, është kur premtojnë mrekullira dhe, ç’është më e keqja, kur premtojnë realizimin e skemave të cilat tashmë ekzistojnë.

Të premtosh hapjen e një zyre për vetëpunësim të të rinjve, është pikërisht të premtosh diçka që kjo qeveri e ka bërë qe dy vite e gjysëm. Përmes masave aktive të tregut të punës, Ministria që unë udhëheq ka ndihmuar afër 17 mijë të rinjë e të reja që të aftësohen profesionalisht, kemi subvencionuar pagat e të rinjve, grave dhe personave me aftësi të kufizuara deri në një vit, kemi ofruar praktikë pune, kemi ofruar trajnim në vendin e punës në bashkëpunim me kompani vendore, e disa qindra (e mbase edhe mijëra) kanë përfituar nga grantet e vetëpunësimit. Përveç me fondet e MPMS-së, grante për vetëpunësim kemi dhënë edhe në bashkëpunim me partnerët ndër komb-ëtar si UNDP, GIZ, Help, dhe përmes disa iniciativave vendore.

Të gjitha këto do të shumëfishoheshin deri në fund të mandatit po mos t’i pengonin dikujt, në opozitë dhe qeveri.

Kur para ca ditësh shkrova se përderisa të tjerët thonë “do ta bëjmë“, ne themi “tashmë e kemi bërë“, kjo sot dhe ajo e djeshmja janë dëshmi se kisha të drejtë.

Ftoj kandidatët të jenë paksa më kreativ.