Abrashi: AAK asnjë marrëveshje paraprake për koalicion me partitë në pushtet

Gazmend Abrashi, nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka mohuar çdo mundësi për koalicioni eventual të partisë së tij me partitë në pushtet.

Lajme

22/04/2017 11:36

“Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, nuk i duhet koalicion paraprak me partitë në pushtet, pasi çdo ditë e më shumë po gjënë mbështetje nga qytetarët e vendit, të cilët janë të bindur se qëndrimet politike të AAK-së si një opozitë e fortë, janë në përputhje të vazhdueshme me interesat e vendit”,  ka shkruar Abrashi.

“Energjitë tona, puna jonë, angazhimi dhe vizioni ynë është në funksion të rritjes dhe fuqizimit të AAK-së. Orientimi ynë politik asnjëherë nuk do të jetë në shërbim të matematikave që dëmtojnë të ardhmen e vendit dhe shkojnë në shërbim të interesave të ngushta partiake për pushtet. Ne synojmë të qeverisim me Kosovën, bazuar në një mentalitet të ri udhëheqës i cili buron nga vullneti i qytetarëve të Kosovës për ndryshim”.

Abrashi thotë se “përtej çdo lloj sondazhi dhe vlerësimit të analistëve, gjendja në terren dëshmon për një rritje drastike të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës”.

“Tash kur vërehet kjo rritje e AAK-së,  dalin zëra të qëllimshëm kinse ne kemi arritur marrëveshje paraprake për koalicion me PDK-në . Kjo bëhet për ta zbehur rritjen tonë në terren. E vërteta është se ne kemi koalicion parazgjedhor vetëm me NISMA-n dhe se gjithçka që flitet përtej kësaj është e pa qëndrueshme”.

“Në hyjmë në këto zgjedhje që të dalim të parët. Vetëm në këtë rast do të vendosim se më kë do të bëjmë koalicion, duke u bazuar në përputhshmëritë programore dhe objektivat e përbashkëta për zhvillimin e vendit”.

“Qytetarët e Kosovës sot nuk mund të manipulohen nga askush, as nga shpifjet e as nga konspiracionet e orkestruara. Ne e kemi dëshmuar se jemi të pathyeshëm, sa herë që është në pyetje interesi i vendit, andaj qytetarët e kanë kuptuar se një fitore e jona në radhë të parë do t’i shërbej interesit për fuqizimin e shtetit tonë, të cilin në masë të madhe po e rrezikon koalicioni qeverisës me marrëveshje të dëmshme, me veprime dhe mosveprime”, ka shkruar Abrashi. /Lajmi.net/