Abdixhiku reagon ashpër ndaj idesë për rrënimin e objektit të Gërmisë

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj idesë për rrënimin e objektit të Gërmisë në Prishtinë.

Lajme

04/10/2018 17:42

Abdixhiku në një shkrim në rrjetin social Facebook ka thënë se ideja për një veprim të tillë duket bizare veç si ide, derisa thotë se veç si mendim është i trishtë, përcjell lajmi.net.

Sipas tij rrënimi i objekteve që bartin historinë e kryeqytetit, për të cilat thotë se janë të pakta, është naivitet, duke shtuar se do të angazhohet personalisht që kjo ide të vdes me fillim.

Ky është postimi i plotë:

Ideja e rrënimit të objektit të Gërmisë në Prishtinë më duket bizare veç si ide; veç si mendim është i trishtë – lëre më shumë.

Prishtina nuk ka shumë objekte që bartin historinë e kryeqytetit; që janë ikonë e një kujtese kolektive. Rrënimi i atyre pak shenjave të mbetura sot është në rastin më të thjeshtë naivitet, në rastin më të rëndë mbrapshtësi – tipike me logjikën “prish shtëpi e ndërto hajat”. Kryeqyteti ka hapësira të tjera plot për ndërtesë të re koncertale. Pse u dashka mu kjo?! Qytetet moderne bëjnë sot çmos të prezervojnë secilën shenjë historike që kanë. Ne, ndërsa, me të parën – ta rrënojmë!

Do të angazhohem personalisht, që kjo ide të vdes me fillim.