Abdixhiku: Me këtë trend të zhvillimit ekonomik, jemi 60 vjet pas vendeve europiane

Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa Lumir Abdixhiku ka kritikuar qeverinë e Kosovës sa i buxhetit. Thotë se ndryshe nga premtimet elektorale, rritja ekonomike e paraparë në tre vjetët e ardhshme nuk kalon 4 për qind.

Lajme

05/12/2017 19:33

Deputeti i LDK’së thotë se zhvillimi i tillë i Kosovës tregon se duhen 60 vjet për të arritur mesataren e zhvillimit europian.

“Sot në buxhet rritja ekonomike për tre vitet e ardhshme parashihet të jetë 4 për qind. Me këtë trend siç e parasheh buxheti i Kosovës neve do të na duhen diku rreth 30 vjet për të arritur Kroacinë dhe diku 60 vjet për të rritur një mesatare të Bashkimit Europian”, tha Abdixhiku për televizionin Dukagjini.

Buxheti i paraparë sipas Abdizhikut nuk plotëson nevojat e qytetarëve.

“Është më shumë një buxhet i luksit qeveritar, i një kabineti të stërmadh publik që na kushton diku 3.5 milionë euro diku puna e zëvendësministrave….Vërejtja jone kryesore ka të bëjë me zhvillimin ekonomik, pra buxheti si mjet i krijimit kryesor të vendeve të reja të punës dhe një ambienti të mirë ekonomik dhe financiar nuk i adreson këto nevoja’, theksoi ai.