Abdixhiku: Janë trushpërlarë ata që fajin për krizën e refugjatëve ia hedhin Evropës

Vdekja e një fëmije në det, derisa bashkë me familjen e tij po tentonte Evropën, duke ikur nga vatrat e konfliktit në Siri, ka prekur zemrat e miliona njerëzve, dhe kjo është vërejtur edhe në rrjetet sociale.

Lajme

03/09/2015 15:11

Shumë komentues nuk kanë ngurruar që për këtë gjendje të shpallin fajtorë Evropën, e cila po ngurron të pranojë të gjithë refugjatët, por pavarësisht kësaj serish mbetet i vetmi vend që ka strehuar qindra mijëra prej tyre.

Për këtë ka reaguar edhe publicisti Lumir Abdixhiku, i cili i ka cilësuar si trushpërlarë ata që këtë krizë e trajtojnë kaq cekët.

Lumir Abdixhiku

Komenti i plotë i Abdixhikut:

Trushpëlarët tanë që krizën e refugjatëve sirianë e trajtojnë menjëherë me motive religjioze, harrojnë apo s’duan të dinë se Kuvajti, Arabia Saudite, Katari e Emiratet e Bashkuara Arabe – dhe plot shtete të tjera arabe – kanë GDP për kokë banori dyfish më të lartë se sa të secilit vend evropian; përfshirë dhe Gjermaninë, Francën, Anglinë e Italinë. Dyfish pra! E secili nga këto shtete arabe ka refuzuar të pranojë refugjatë nga Siria. U kërkojnë viza.

Evropa natyrisht se mund të mbahet përgjegjëse për moshapjen e mjaftueshme të dyerve ndaj hallgjorëve sirianë – ajo po teston rëndë demokracinë e saj; por në asnjë rrethanë kjo përgjegjësi nuk duhet të ketë ngjyrime religjioze. Fe, në qoftë për fe, kanë treguar mjaftueshëm arabët.