AAK: Tragjeditë kosovare në Evropë, pasojë e politikave të këqija të Qeverisë

Departamenti për Diasporë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e ka përcjellë me shqetësim ngjarjen e rëndë në Francë, ku një qytetar – shtetas kosovar, ka tentuar vetëflijimin, pas refuzimit të kërkesës së tij për lejeqëndrim në këtë shtet.

Lajme

07/10/2014 11:15

Departamenti për Diasporë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, që kryesohet nga Jahja Lluka, e konsideron këtë si rrjedhojë të politikave të gabuara të Qeverisë së Kosovës, në raport me statusin dhe situatën e rëndë të qytetarëve të Kosovës, që ikin nga vendi për shkak të jetës së rëndë dhe të paperspektivë.

 “Departamenti për Diasporë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës shumë herë deri më tani e ka tërhequr vërejtjen për largimin e rinisë kosovare, shkaku i moszhvillimit ekonomik të Kosovës, papunësisë dhe mosperktivës për krijimin e familjes dhe ndërtimin e jetës në Kosovë”, thuhet në një komunikatë për media të AAK-së.

 Departamenti për Diasporë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës pyet edhe një herë se a duhet edhe më tutje njerëzve tanë t’u ndodhin raste e tragjedi si ai lumit Tisa dhe ky i fundit, në kërkim të një jete më të mirë!?

 “E vërteta për arsyen e largimit të njerëzve nga Kosova, janë edhe të dhënat e fundit të Eurostatit, të cilat i pranoi edhe vetë ministri i Punëve të Brendshme të Qeverisë së Kosovës në ikje, Bajram Rexhepi”.

“Departamenti për Diasporë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës konsideron më e arsyeshme do të ishte që ministri Rexhepi, në vend të konstatimit të këtyre të dhënave, të dilte me propozime e strategji konkrete për parandalimin e kësaj dukurie të dëmshme për vendin”.