AAK thotë se anëtarësimi në UNESCO nxjerrë vendin nga izolimi

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka vlerësuar se anëtarësimi i Kosovës në UNESCO, është e domosdoshme që Kosova të ketë mundësi të barabarta dhe që të mos mbetet e izoluar.

Lajme

20/10/2015 16:17

AAK, me anë të një komunikate për media ka shprehur bindjen që Kosova do të anëtarësohet në këtë organizatë me përkrahjen edhe të partnerëve ndërkombëtarë, përkundër kundërshtimit të Serbisë.

“Anëtarësimi në UNESCO është domosdoshmëri që vendi ynë të ketë mundësi të barabarta dhe të mos mbetet i izoluar. UNESCO mbulon mbi 70 programe të ndryshme, përveç që merret me çështjen e reformave, standardizimit dhe shkëmbimeve të programeve arsimore, përfitimet e Kosovës janë edhe në shkencë, kulturë dhe trashëgimi kulturore, fusha këto në të cilat Kosova do të mund të merrte pjesë”.

“Edhe pse Serbia nuk e ka të drejtën e  vetos në këtë proces,  është për të ardhur keq  nga qasja e autoriteteve serbe për gjoja humbjen e Trashëgimisë Kulturore në Kosovë dhe tjetërsimin e saj, përderisa Trashëgimia Kulturore e Kosovës është kategori kushtetuese, dhe se Kosova  ka arritur të krijojë infrastrukturë ligjore të standardeve ndërkombëtare. Sipas Ligjit për Trashëgimi Kulturore objekt i këtij ligji janë vlerat e Trashëgimisë Kulturore, të krijuara gjatë shekujve, dhe vlera historike e kulturore e kësaj Trashëgimie është thesar i tërë popullit të Kosovës”.

“Kosova ka vlera të panumërta që mund t’i ofrojë  komunitetit ndërkombëtar”, thuhet në komunikatën e AAK-së.

AAK fton qytetarët e Kosovës që  të nënshkruajnë peticionin për  pranimin e Kosovës në UNESCO, në mënyrë që zëri ynë të jetë më i fuqishëm se zëri i kundërshtarëve të këtij procesi.