AAK shprehë shqetësim për krijimin e etnitetit serb në FAK

Departamenti për Politika të Mbrojtjes dhe të Sigurisë i AAK së, ka vlerësuar se ideja e lansuar të diskutohet për krijimin e një "entiteti ushtarak" minoritar - paralel dhe njëetnik, përbrenda strukturës së ardhshme të Forcave të Armatosura të Kosovës (FAK), ekskluzivisht për pakicën serbe, është i rrezikshëm, jofunksional, dezintegrues dhe jashtë çdo praktike standardizuese të strukturave të rregullta ushtarake të shteteve demokratike dhe të vetë NATO.

Lajme

16/05/2015 11:10

AAK nëpërmjet një komunikate, ka paralajmëruar se “paralelizmi ushtarak që pritet të diskutohet në mes Prishtinës dhe Beogradit, në hierarki vertikale dhe horizontale me nivel komandues të veçantë dhe i ndarë nga struktura e unifikuar e komandimit ushtarak, ka tendencë të implikojë dhe të kontrollojë Ushtrinë e Kosovës nga prezenca paralele brenda FAK-ut nga Serbia, përmes infiltrimit të marrëveshjeve politike”.

“Kjo situatë e imponuar, sipas AAK-së, është skajshmërisht e papranueshme dhe duhet të ngjallë reagime të menjëhershme, që Kosova ta ketë sa më parë ushtrinë profesionale dhe jopolitike, me një hierarki unike komanduese dhe jo t’i vishet asaj edhe një ‘trup-komandë’ paralele nga Lista Serbe, e ‘imponuar politikisht nga ndikimi i Beogradit në Kosovë”, thuhet në njoftimin e AAK-së.