AAK: Shëndetësia e sëmurë

Departamenti i Shëndetësisë i AAK-së thotë se qeveria Mustafa e ka shtyrë shëndetësinë në ambis.

Lajme

27/01/2016 16:23

AAK përmes një komunikate për media ofron argumente të cilat sipas tyre tregojnë për gjendjen e rëndë në shëndetësi.

AAK vlerëson se shëndetësia nuk po menaxhohet me plan afatgjatë. Ata ankohen se nuk është krijuar fondi për sigurime shëndetësore dhe se buxheti për këtë sektor është shumë i vogël.

Më poshtë lexoni komunikatën e plotë:

Nëse Qeveria Thaçi e e ka sjellë shëndetësinë buzë greminës, pa asnjë dyshim Qeveria Mustafa e ka shtyrë atë përfundimisht në ambis.

Janë shumë argumente që mbështesin këtë përfundim dhe ne po i numërojmë vetëm disa:

E para, në mungesë të ideve origjinale për reformimin e sistemit shëndetësor dhe në mungesë të guximit për ti shpallur reformat e nisura në qeverinë e kaluar të gabuara, Qeveria po e menaxhon shëndetësinë në baza ditore, pa plan dhe pa vizion. Madje në konfuzion të plotë, duke i dhënë vetës detyra dhe obligime që janë fushëveprime të Fondit të Sigurimit, Odës së Mjekëve ose Shërbimit Spitalor dhe Klinik të Kosovës, ndërkaq që këtyre institucioneve, që me Ligj janë të pavarura nga Ministria e shëndetësisë, detyra që nuk u takojnë. Deri në atë masë ka arritur konfuzioni, sa për interpretimin e tij janë angazhuar edhe gjykatat. SHSKUK është në luftë të hapur me Ministrinë, ndërsa akuzat e ndërsjella për përgjegjësinë janë përditshmëri, sikur janë edhe shkarkimet dhe kërcnimet.

AAK nuk është e habitur me situatën. Ne e kemi ditur se një gjë e tillë do të ndodhë kur është propozuar ky Ligj për shëndetësi, prandaj edhe kemi qenë kundër tij.  Por, ne nuk kënaqemi me faktin se sa i keq është ky Ligj, për çfarë po binden edhe vetë ata që e kanë votuar – njerëzit e PDK dhe LDK. Përkundrazi, jemi shumë të brengosur, sepse pasojat po bijnë mbi popullin e Kosovës.

E dyta, për shkak se ka dështuar ta themelojë fondin e sigurimeve shëndetësore dhe të funksionalizojë odat e profesionistëve shëndetësor, Qeveria ka dështuar të ndërtojë një sistem shëndetësor normal. Në mungesë të këtyre, fondit dhe të odave, Kosova ka një sistem jopërfaqësues të shëndetësisë i cili nuk dëgjon as qytetarët dhe as profesionistët shëndetësor. Arsyetimi, se fondi nuk është bërë për të mos dalë i keq dhe se odat nuk po bëhen për faj të profesionistëve, në kohën kur të gjitha kompetencat janë në duart e Qeverisë, është totalisht joserioz.

E treta, me buxhet për shëndetësi që është më i vogël se në mandatin e kaluar dhe me ndarje brenda buxhetit që shtyp zhvillimin e kapaciteteve vendore dhe favorizon mjekimin jashtë vendit, kjo qeveri është larg përmbushjes së nevojave të kosovarëve për shëndetësi. Lartësia e buxhetit në fakt është dëshmia më e fortë se, edhe pse e deklaruar prioritet i Qeverisë Mustafa, shëndetësia aspak nuk është e tillë. Përcaktimi programor i Qeverisë që brenda dy viteve të arrihet mesatarja e rajonit në mjete për kokë banori, i parë nga ky aspekt, është ose mungesë e informatave për këto mesatare ose tallje me qytetarët.

Dështimet e tjera, jo më pak të rëndësishme, janë dështimi për të përmirësuar qasjen në shërbime shëndetësore dhe cilësinë e tyre, dështimi në licencimin e profesionistëve dhe institucioneve shëndetësore, zhvlerësimi i bashkëpunimit ndërkombëtar vetëm në nivel të donacioneve dhe vazhdimi i perceptimit të kapitalit privat si kapital i huaj dhe rrjedhimisht edhe i sektorit privat si të tillë.

Nëse kësaj i shtohet edhe menaxhimi katastrofal i shëndetësisë me emërime krejtësisht politike dhe klanore në poste udhëheqëse, praktikat korruptive dhe të komplikuara në prokurimin e barnave dhe produkteve medicinale dhe anulimet konsekutive të tenderëve që kanë pasojë paralizimin e shëndetësisë, nuk është e habitshme pse qytetari i Kosovës, sot ndihet shumë i brengosur për shëndetin e tij.